Ka ndodhur

Atentati i dështuar ndaj biznesmenit në Tiranë, lihen në burg 4 të arrestuarit

Gjykata e Tiranës ka lënë në burg 4 të dyshuarit për atentatin e dështuar ndaj biznesmenit Andon Dhima.

Prokuroria tha në sallën e gjyqit se Grid Lena dhe Albin Hoxha, ish-komando, ishin dy personat e armatosur dhe me fytyrë të mbuluar më maska silikoni, të cilët tentuan të ekzekutonin biznesmenin, pavarësisht se në momentin e fundit, ata u tërhoqën, pasi Dhima hyri në ashensor dhe nuk arritën të qëllonin në drejtim të tij.

Enea Hoxha vëllai i ish-komandos dhe Mariglen Matohiti, kunati i Lenës, dyshohet sipas prokurorisë të kenë pasur rolin e vëzhguesit.

Prokuroria thotë se në gjurmët e të dyshuarve ra përmes pamjeve të kamerave të sigurisë, që e orientuan deri në shtëpinë e Grid Lenës. Pas vënies në përgjim të të dyshuarit u zbuluan mesazhe kompromentuese, pasi ata komunikonin me njëri-tjetrin dhe shprehnin shqetësim se kishin dalë duarbosh, pra pa mundur të përmbushnin misionin.

Mesazhet u përdorën si provë në seancë. Të dyshuarit mohuan përfshirjen në ngjarje, por s’e bindën dot gjykatën t’i linte të lirë.

Bashkëshortja e Grid Lenës dhe njëherazi motra e Mariglen Matohitit, tha për gazetarët se ata s’kanë asnjë lidhje me atentatin e dështuar ndaj biznesmenit, përderisa janë gjendur në një ditëlindje në të njëjtën kohë kur ndodhi krimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë