Lajme

Atentat me armë zjarri në Vlorë, plagoset 41-vjeçari në makinë

Një plagosje me armë zjarri ndodhi sot pasdite në qendër të qytetit të Vlorës. Sipas policisë ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:40, në lagjen "Pavarësia" ku është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti e për pasojë ka mbetur i plagosur një 41-vjeçar. Mjekët thanë se i plagosuri po merr ndihmë mjekësore në spital.

Burime jozyrtare thanë se i plagosuri është Mikel Mehmeti, banor i Vlorës. Ai ndodhej tek mjeti i tij Audi me targa AA 653 VC, kur iu bë atentati. Nga të shtënat dyshohet se ka mbetur i plagosur edhe personi i dytë që udhëtonte në mjet.

Ndërkohë, në afërsi të stacionit të trenit, policia ka gjetur duke u djegur një automjet, i cili dyshohet të jetë përdorur nga autorët për fshehjen dhe largimin e tyre.

“Shërbimet e policisë po krehin zonën për të bërë të mundur kapjen e autorëve”, – thanë burime zyrtare nga policia lokale.

Sakaq, grupi hetimor ndodhet në vendngjarje ku vijon puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, si dhe identifikimin e autorëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë