Rend dhe Ligj

I bëjnë atentat për herë të tretë Gentian Bejtjas në Krujë. I vrasin kunatin dhe i plagosin dy djemtë! Shoqërohen tre të fortët e Niklës (foto)

Gazeta Si - Gentian Bejtja, një person me precedent dhe lidhje të dyshuara kriminale, dyshohet se ishte objektivi i atentatit ku mbeti i vrari kunati i tij dhe iu plagosën dy djemtë e mitur.

Ngjarja u shënua pas mesnate në oborrin e banesës së 42-vjeçarit në fshatin Larushk të Krujës. Ekzekutorët besohet se ishin të paktën tre persona dhe sulmuan me breshëri sapo Gentian Bejtja dhe familjarët e tij dolën nga makina dhe po hynin në shtëpi.

Ramazan Sino me profesion shofer në Prokurorinë e Apelit në kryeqytet, me makinë po shoqëronte fëmijët e motrës drejt shtëpisë së tyre.

Sapo mbërritën në verandën e shtëpisë, ata u përballën me agresivitetin e rreth 30 plumbave të qitura nga dy armë të ndryshme kallashnikovi.

Si pasojë e të shtënave 29-vjeçari ndërroi jetë në vendngjarje ndërsa nipi, 13 vjeçari Alvi Bejtja dhe fëmija tjetër 10 vjeç përfunduan në spital të plagosur.

Ngjarja

Dyshohet se objektiv i atentatit ka qenë pronari i banesës, Gentjan Bejtja, person me precedentë penal, por që ky i fundit u ka shpëtuar plumbave.

Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:15, në fshatin Larushk, në Krujë. Autor/ët kanë qëlluar me armë zjarri drejt shtetasit me iniciale G.B. dhe drejt nipit të tij 18-vjeçar. Viktima që ndodhej në oborrin e banesës së kunatit ka humbur jetën, ndërsa i riu është dërguar në spital.

Policia po heton në disa pista për atentatin, teksa dyshohet se shënjestra ishte pikërisht Gentjan Bejtja, një emër i njohur për policinë.

Me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të dyshuar, shërbimet e Policisë kanë ushtruar 3 kontrolle në 3 banesa si dhe kanë shoqëruar 3 persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen.

Mes personave të shoqëruar nga policia, janë dhe Durim e Valter Bami dhe Marklen Haka, persona jo pak të njohur për policinë. Mësohet se ndaj këtyre personave po ushtrohet kontrolle në banesa, e ndërsa do merren në pyetje mbi ngjarjen në Larushk.

Sipas burimeve policore, shoqërimi i tyrë është bërë pasi polica ka dyshime se prej vitesh janë në konflikt të hapur me njëri-tjetrin.

Dinamika

Dajë e nip dyshohet se janë qëlluar me breshëri plumbash sapo kanë mbërritur në banesë me makinën e tyre.

Mësohet se sapo kanë dalë nga makina dhe janë afruar në oborrin e banesës së Gentian Bejtjas, autorët kanë qëlluar drejt tyre me armë.

Dyshohet se autorët janë tre persona, të cilët kanë ndjekur lëvizjet e Ramazan Sinos dhe nipit të tij, Alvi Bejtja deri në momentin që kanë mbërritur në banesë.

Dy persona kanë pasur rolin e ekzekutorit, ndërsa një persona ka drejtuar automjetin e autorëve tip “Wolswagen, që 25 minuta pas ngjarjes u gjet i djegur në fshatin Tapizë.

Zona ku ka ndodhur ngjarja nuk ka kamera sigurie, pasi janë sekuestruar më parë nga policia në kuadër të operacionit “Fijet”.

Makina e djegur

Vrasësit e atentatit në fshatin Larushk të Fushë-Krujës kishin përdorur një automjet tip Volkswagen Golf 5 për të kryer ngjarjen kriminale.

Mjeti "Golf" ishte vjedhur në Tiranë disa kohë më parë. Pas atentatit, autorët e braktisën dhe e dogjën makinën në zonën e Lapidarit në Tapizë.

Forcat policore që shkuan në vendngjarje e gjetën mjetin në flakë. Makina ishte pa targa dhe brenda automjetit u konstatuan 3 kallashnikovë.

Këto armë u sekuestruan nga policia dhe u dërguan në laboratorin e Policisë Shkencore për t’u ekzaminuar.

Sipas informacioneve nga grupi hetimor, dyshohet që të kenë qenë 2-3 atentatorë, njëri prej të cilëve në rolin e shoferit.

Atentati i tretë ndaj Bejtjes

Bejtja i ka shpëtuar edhe më parë atentatit, ku në vitin 2022, ndaj tij është qëlluar me breshëri kallashnikovi teksa lëvizte me makinë në zonën e Niklës, i shoqëruar nga Klodian Stafuka. Në atë kohë Gentian Bejtja mbeti i plagosur.

Ai i ka shpëtuar edhe në 2016 një tjetër atentati me eksploziv në makinë ku edhe në atë kohë u dëmtua.

Gentjan Bejtja rezulton person me precedentë penalë të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër personit dhe pronës, si dhe i arrestuar me arsenal armësh në banesë.

Ai është hetuar edhe për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, pasi u dyshua bashkë me Enver Stafukën, si një nga autorët e vjedhjes së makinës nga e cila u vra Lamaj, në shkurt 2013.

Bejtja është lakuar dhe në disa ngjarje kriminale të ndodhura në Tiranë dhe Durrës, ku pas marjes në pyetje ai është lënë sërish i lirë. Në vrasjen e Arben Mërkurit alias “Maneci”, Gentjan Bejtja ka dhënë shpjegime në polici mbi atë çfarë dinte. Më pas ai është lënë i lirë.

Ndërsa pyetja e tij në polici, ka vijuar dhe për ngjarjen e vrasjes së Iljaz Çalit në autostradë dhe tek vrasja e ndodhur një vit më parë në mbikalimin e Fushë-Krujës, ku mbetën të vdekur Briland Martinaj, Besmir Hoxha dhe Diklen Vata.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë