Dosje

Hetimet për atentatin ndaj Gentian Bejtjes, lirohen 3 të shoqëruarit. Objektivi nuk gjendet!

Gazeta Si - Një ditë pas shoqërimit për t’u marrë në pyetje për vrasjen e kunatit të Gentian Bejtjes, policia ka liruar Durim e Valter Bamin (vëllezër) dhe Marklen Hakën.

Ata u morën në pyetje si persona që mund të kishin dijeni për atentatin ndaj Bejtjes, ku mbeti i vrarë kunati i tij, Ramazan Sino dhe u plagosën dy fëmijët e mitur të objektivit.

Pasi dhanë deklarimet për disa orë me radhë dhe veçmas njëri-tjetrit, ata janë lënë të lirë nga Policia e Krujës.

Deklarimet e tyre nuk e kanë ndihmuar grupin hetimor për zbardhjen e ngjarjes. Ata kanë mohuar të kenë dijeni për atentatin, duke përjashtuar mundësinë se kanë konflikte me Gentian Bejtjen.

Dëshmia e Bejtjes do të ndihmonte hetimet, por dyshohet se ai ndodhet jashtë Shqipërisë.

Bejtja nuk rezulton i regjistruar në sistemin TIMS, çka ngre dyshime se mund të ketë hyrë në vend në mënyrë ilegale.

Burime paraprake bëjnë me dije se Gentjan Bejtja dy ditë më parë ka qenë në shtëpi, ndërsa ka dyshime se autorët kanë pasur dijeni për lëvizjet e tij.

Ky i fundit kishte ikur në Norvegji prej më shumë se një viti, por autoritet nuk kanë një informacion të saktë nëse ka kërkuar azil politik atje.

Sakaq, Policia e Krujës dhe Tiranës kanë vijuar me shoqërimin e personave të tjerë në kuadër të hetimeve që po kryhen për atentatin në Larushk. Deri tani burime bëjnë me dije se përveç Bamëve dhe Hakës janë shoqëruar 10 persona.

Shoqërimet kanë vijuar edhe gjatë ditës së sotme. Ata janë marrë në pyetje dhe do merren të tjerë në cilësinë e personave që kanë dijeni për ngjarjen.

Gentian Bejtja, një eksponent i njohur i botës së krimit, shpëtoi për herë të tretë një atentati të kryer në drejtim të tij.

Dje (4 korrik) në banesën e tij në fshatin Larushk të Krujës, ka mbetur i vrarë kunati i tij Ramazan Sino (vëllai i gruas) dhe i janë plagosur dy djemtë e mitur.

Ndërkohë, tri armët kallashnikovë bashkë me gëzhojat e gjetura në vendngjarje, janë dërguar në Laboratorin e Policisë Shkencore dhe pritet përgjigje nëse janë përdorur të trija për të qëlluar, si dhe nëse janë përdorur në ndonjë ngjarje tjetër kriminale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë