Futboll

Atalanta në majën e Europës, Gjimshiti: S’e kisha imagjinuar kurrë këtë sukses (video)

Kapiteni Berat Gjimshiti ka ngritur në qiellin e Dublinit trofeun e Europa League, në mbrëmjen më historike të Atalantas, e cila triumfon në finalen e parë europiane dhe çon në Itali trofeun e Europa League.

Skuadra e Gian Piero Gasperinit mposhti me rezultatin 3-0 Bayer Leverkusenin e Xabi Alonso-s, me Ademola Lookman që bëhet lojtari i parë në historinë e Europa League që shënon “hat-trick” në finale. Lookman zhbllokoi takimin me golin e shënuar në minutën e 12’, teksa në minutën e 26’ po ai gjeti rrugën drejt rrjetës, duke dyfishuar avantazhin e italianëve. Kjo përballje u vulos në minutën e 75’ kur Lookman shënoi golin e tretë personal dhe për ekipin e tij.

Ndërkaq kapiteni ynë kuqezi Berat Gjimshiti deklaroi për mediet pas këtij triumfi historik se e gjitha i duket e pabesueshme.

“Është e vështirë të gjesh fjalët tani, as që po e kuptoj se çfarë bëmë. Një sukses kaq i madh, pas finales së humbur në Kupën e Italisë, është i pabesueshëm. Megjithatë tani nuk më interesojnë 3 finalet e humbura”, tha fillimisht Gjimshiti.

Më tej, mbrojtësi i kombëtares shqiptare të futbollit u shpreh se vetëm ditën e ndeshjen e kishte mesuar se do të ishte ai kapiteni i Atalantas në këtë përballje dhe se ndjehet shumë krenar.

“Jam krenar, sot mësova se do të mbaj shiritin në krah. Grupi është fantastik, luajtëm shumë mirë dhe me meritë”, vijoi kapiteni kuqezi.

I pyetur nëse e priste këtë sukses në momentin e parë kur është bashkuar me Atalantan, mbrojtësi deklaroi se nuk e kishte imagjinuar kurrë.

“Nuk do ta kisha imagjinuar kurrë. Kur arrita situata dhe pritshmëritë ishin të ndryshme, ne po luanim për të shmangur rënien. Ardhja e Gasperinit solli një filozofi të re, ai gjithmonë dëshiron të përmirësojë lojtarët dhe t’i bëjë ata të performojnë dhe të japin më të mirën e tyre. Pastaj pas disa viteve fillova të imagjinoj një moment të tillë, ndoshta jo Europa League, ndoshta më shumë Kupën e Italisë, por sot e meritojmë të gjithë këtë”, përfundoi Berat Gjimshiti. /Supersport


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë