Milani ka pësuar një humbje të rëndë në “San Siro”, ku është mundur 0-3 nga Atalanta e Berat Gjimshitit. Mbrojtësi i Kombëtares zhvilloi një ndeshje mjaft të mirë, duke përballuar duelet me Ibrahimoviçin. Një humbje që tregon se kuqezinjtë, edhe pse kanë kryesuar thuajse gjatë gjithë kohës kampionatit, ndoshta nuk janë gati për titullin. Megjithatë, vendi i parë mbetet i Milanit, sepse Interi është ndalur në barazim në Udine.
Dihej që skuadra e Piolit do ta kishte të vështirë ndaj Atalantës, një kundërshtar që vitet e fundit e ka vënë gjithmonë në siklet Milanin. Kështu ka ndodhur edhe këtë herë, teksa kryesuesit e Serisë A kanë pësuar 3 gola dhe kjo është një tronditje e fortë. Atalanta kaloi në avantazh me mbrojtësin Romero gjatë pjesës së parë. Në të dytën pritej reagimi i Milanit, por ndodhi e kundërta.
Goli i parë i pësuar nga Milani. Gazeta Si, 23 janar 2021
Kesi shkaktoi një penallti dhe Iliçiç dyfishoi shifrat, ndërsa goli i tretë i Atalantës mban firmën e Duvan Zapatës. Milani nuk mundi të realizonte as golin e nderit në këtë ndeshje, ku debutoi me fanellën kuqezi Mario Manxhukiç, i blerë vetëm pak ditë më parë. Kuqezinjtë mund të ngushëllohen vetëm me faktin se kushërinjtë e tyre të Interit nuk mundën të fitonin ndaj Udinezes.
Interi në fakt ishte superior në këtë transfertë, ku krijoi raste, por pa e gjetur rrugën e rrjetës. Trajneri Antonio Konte është ndëshkuar me karton të kuq në fundin e ndeshjes, për shkak të protestave. “Je ti gjithmonë”, - i është drejtuar ai gjyqtarit Mareska. Zikaltrit humbasin një shans të mirë për t’u barazuar me pikë me Milanin, që ka 43, kurse ata 41.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.