Futboll

Atalanta e Gjimshitit e frikshme, “poker” golash Strakoshës

Një provë force për Atalantën në “Olimpiko”, ku skuadra e trajnerit Gasperini është imponuar në lojë ndaj Lacios dhe ka fituar 1-4. Një tjetër “poker” golash për bergamaskët, këtë herë në portën e Strakoshës, që ka bërë një ndeshje të dobët, ashtu si gjithë skuadra, tashmë jo pak e kritikuar. Në sfidën mes dy kuqezinjve, Strakoshës dhe Gjimshitit, fati i ka buzëqeshur këtij të fundit.

Berat Gjimshti dhe Tomas Strakosha ishin të dy titullarë, por mbrojtësi kuqezi, i ndëshkuar me karton të verdhë, u ndërrua në pjesën e dytë, kur Atalanta e kishte në “xhep” fitoren, për të mos rrezikuar. Gjërat shkuan keq për Lacios që në nxemje, kur Korrea u dëmtua dhe vendin e tij e zuri Kaisedo. Atalanta, një skuadër e frikshme për mënyrën si sulmon, kaloi në avantazh pas 10 minutash me Gosens, pavarësisht protestave të Lacios për shtyrje.

Atalanta feston fitoren ndaj Lacios. Gazeta Si, 30 shtator 2020

Pas avantazhit, Atalanta bën ndeshjen që dëshiron dhe krijon superioritet numerik në çdo sektor të fushës. Lojtarët e Lacios shfaqen shumë nervozë dhe ngarkohen me kartonë. Hateboer mposht Strakoshën me një gjuajtje fluturimthi dhe 0-2. Lacio mundohet të reagojë, Imobile godet traversën dhe Luis Alberto humb një rast të mirë, por më pas vjen edhe goli i tretë i Atalantës nga Papu Gomez.

Lacio e nis mirë pjesën e dyët, Kaisedo shënon dhe më pas Imobile humb fatalisht tek për tek me portierin rastin për të shkuar në 2-3. Goli i katërt i Atalantës vjen nga Gomez me një diagonale nga e majta. Atalanta kryeson me 6 pikë, po aq sa kanë edhe Napoli, Milani, Interi dhe Verona, kurse Lacio mbetet në kuotën e 3 pikëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë