Futboll

Astrit Hafizi analizon Superioren: Probleme të përsëritura pa zgjidhje në horizont

23 javë në Kategorinë Superiore, edicioni i dytë me formatin e ri ku 4 skuadrat e para diskutojnë titullin në “BIG4”… Gazeta “Si” bisedoi me Astrit Hafizin, ish-trajner i Kombëtares dhe disa skuadrave në futbollin shqiptar, për një analizë të asaj që ka ndodhur deri tani këtë sezon. Hafizi mendon se formati aktual nuk është më i miri i mundshëm për futbollin shqiptar, madje ai thotë se as numri i skuadrave në Kategorinë Superiore nuk vlerëson historinë dhe përfaqësimin e skuadrave dhe qyteteve pjesëmarrëse. “Format i huazuar por i papërshtatshëm për një kampionat si ai shqiptar që duhet të ketë më shumë skuadra për t’iu dhënë mundësi Flamurtarit, Besës, Apolonisë, Luftëtarit apo dhe Tomorrit, të jenë mes më të mirëve. Skuadra të cilat do të rrisnin më shumë nivelin e futbollit tonë me pjesëmarrjen e tyre” – thotë Hafizi.

Astrit Hafizi kur drejtonte në kampionatin shqiptar të futbollit

Ai kritikon gjithashtu edhe emërtimin që shpesh quhet Superligë në mungesë të një Lige të vërtetë sipas modelit në kampionatet e huaja, ku Liga është një organizim i vetë skuadrave pjesëmarrëse, ndërsa Federata organizon dhe mbikqyr eventet e Kupës dhe ato të ekipit përfaqësues. Astrit Hafizi vë theksin te vështirësit që hasin skuadrat e futbollit në vend të cilat në pjesën dërrmuese nuk kanë fusha stërvitore dhe aq më pak për të luajtur (kujton Tiranën). Ndërsa vlerëson punën e bërë në këtë drejtim nga Partizani dhe Dinamo City si të vetmet që kanë një qendër stërvitore ku përgatisin skuadrat për ndeshjet e fundjavës në kategoritë ku ato marrin pjesë.

Astrit Hafizi e drejtoi Kombëtaren nga viti 1996 deri në vitin 1999

Ajo çka po ndodh në futbollin shqiptar ilustrohet më së miri me përfaqësimin në Kupat e Evropës që Hafizi e vlerëson të dobët për të mos shkuar më tutje, kur skuadrat shqiptare vështirë se kalojnë dy ture rradhazi edhe në nivelet paraeleminatore. Në kushte të tilla është e pakuptimtë një formulë e re kur nuk ke kushtet minimale të organizimit dhe përfaqësimit dinjitoz të futbollit shqiptar. Madje sa i përket infrastrukturës, investohet për evente ndërkombëtare dhe jo për impiante në dispozicion të skuadrave vendase. Por mesa duket kritikat dhe idetë për ta zhvilluar futbollin nuk përkrahen prej kohësh mendon traineri shkodran.

Stadiumi “Selman Stërmasi” i kthyer në një parkim, larg destinacionit të tij

Për sezonin aktual vlerëson veteranin e Vllaznisë, Bekim Balaj që më në fund është përshtatur në skuadrën e qytetit të tij të cilën po e udhëheq drejt një titulli që Vllaznia e humbi pak vite më parë për golevarazh më të dobët në favor të Teutës. Nuk fshihet kur flet për Dinamon tek e cila sipas Hafizit gjithcka po funksionin ndryshe nga klubet e tjera. “Kam vënë re që Presidenti nuk ndërhyn në punën e Ilir Dajës të cilit i ka dhënë fuqinë e vendimmarrjes për zgjedhjen e lojtarëve, taktikës dhe formacionin. Drejtuesit e tjerë janë në mbështetje të trainerit për qetësinë e nevojshme të skuadrës e cila mesa duket ka edhe financat e garantuara duke e bërë Dinamo City-n, skuadrën me stabilitetin më të madh krahasuar me të tjerat” – thekson Hafizi.   

Tirana-Skënderbeu në kryeqytet

I vjen keq kur flet për Tiranën e cila endet mes problemesh financiare dhe sportive dhe për Skënderbeun që u bë shembull me dënimin 10 vjecar. Dy klube që vuajnë klasifikimin e dobët dhe rrezikojnë rënien një kategori më poshtë ku kanë qënë edhe më parë. Për të ndryshuar këtë situatë ai tërheq vëmendjen tek drejtuesit përkatës për të ndryshuar mënyrën e punës që të mos bëjnë të njëjtat gabime që cojnë në rezultate të tilla. Hafizi uron që mendimi i specialistëve dhe personazheve me kontribute në futbollin vendas të mos lihet jashtë vëmendjes, në harresë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë