Lajme

Astmer Bilali dëshmon në gjykatë për sulmin ndaj trajnerit Gjoka

Kampioni i boksit, Astmer Bilali, i arrestuar kohë më parë si pjesë e grupit “Bajri”, ka qenë sot në Gjykatën e Shkodrës, në cilësinë e dëshmitarit. I shoqëruar nga forca të shumta policie, Bilali është marrë në pyetje për ngjarjen e vitit të kaluar, kur ish-trajneri i Vllaznisë, Ernset Gjoka, u sulmua fizikisht nga dy të rinj, për të cilët Prokurori i çështjes ka kërkuar të qëndrojnë në burg.

Ish-trajneri i skuadrës shkodrane, Ernest Gjoka, edhe pse u sulmua në mënyrë të pakuptimtë dhe rrezikoi të dëmtohej rëndë, pasi njëri nga agresorët kishte me vete një armë të ftohtë, një thikë, ka thënë që në atë kohë se i ka falur dy të rinjtë. Të njëjtën gjë Gjoka ka përsëritur edhe sot në Gjykatën e Shkodrës, ku ka pohuar se dy të rinjtë duhen liruar, pasi i ka falur. Astmer Bilali mësohet të ketë thënë në gjykatë se dy të rinjtë duhen lënë të lirë, sepse po mbahen në burg vetëm për një shuplakë.

Dy të rinjtë e ndaluar janë Nehat Fojleta dhe Sehar Xhenje. Bilali është përfshirë në këtë ngjarje, pasi makina e përdorur nga dy të rinjtë në ngjarje është e tij. Më shumë rrezikon Nehat Fojleta, i cili, sipas organit të akuzës, ka tentuar ta vrasë Gjokën, ndërsa Sehar Xhenje është bashkëpunëtor në ngjarje. Bilali ka sqaruar në dëshminë e tij në gjykatë se shoku i tij, Sehar Xhenje, ia kishte kërkuar makinën për një nevojë familjare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë