Politike

“Astiri”, Kryemadhi: Fryma e revoltës e ka tmerruar Ramën

Monika kryemadhi i ka bërë thirrje të gjthë qytetarëve shqiptarë që të mbështesin protestën e banorëve të “Astirit”, të cilëve po u grabitet prona nga qeveria, sipas saj.

Kryetarja e LSI-së, deklaron se kryeministri Rama po përdor gjithë shtetin për të justifikuar vjedhjen e 40 milionë eurove. “Asnjë dredhi politike, asnjë marrëveshje apo pazar i bërë jashtë syve të publikut, asnjë media e blerë apo e shitur madje as mungesa apo pavarësia e institucioneve të drejtësisë nuk mund të ndalë rebelimin e qytetarëve që nuk kërkojnë asgjë më shumë se të drejtën që u jep kushtetuta”,- shkruan Kryemadhi në një postim në “Facebook”.

“Me kërcënime, keqpërdorimin e policisë, me gjuhën vulgare me të cilën iu drejtohet banorëve të Unazës së Re, ai më sot përpiqet të ndalë qytetarët të kërkojnë të drejtën e tyre. I zhytur në batakun e kriminalitetit, frymëzuesi i shkatërrimit të Shqipërisë, çdo ditë shpik beteja dhe heronj imagjinarë me synimin e vetëm që të tërheqë vëmendjen nga protesta, e cila çdo ditë e më shumë gërryen themelet e pushtetit të krimit dhe oligarkëve, - vijoi Kryemadhi. - Fryma e rebelimit popullor është frika më e madhe e diktatorëve dhe si e tillë ajo e tmerron Edi Ramën, që prej muajsh vetëm menaxhon krizat e deputetëve të tij të inkriminuar dhe të klientëve të tij. që pasurohen me paratë e shqiptarëve”.

Kryetarja e LSI-sëm, shton se Rama është në grahmat e fundit të jetës së tij politike, ku çdo protestë kundër qeverisjes së tij “është një tullë më pak në themelet e rrënuara të qeverisë së rilindjes”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë