Libra

Asnjë qindarkë më pak. Kur një romancier të mëson si fitohet paraja

Jorg, do të presësh deri në orën 6 sonte me orën e Europës Qendrore një transfertë prej shtatë milion dollarësh nga banka “Kredit Paris” në llogarinë numër 2. Do t'i nisësh menjëherë me transfertën e klasit të parë gjatë natës dhe me siguracionin trefish “"A"”, për transfertat e biznesit. Me një fjalë, do t'i investosh në tregun e dollarit gjatë orëve të natës, më kuptove?

- Po, Harvi.

- Kalo një milion dollarë për bankën e "Minas Gerais", të Rio-de-Zhanejros, në emrat e Silversteinit dhe Eliotit dhe anulo pagesën e kredisë tek banka "Barklejs", në rrugën "Lombardi". Më kuptove?

- Po, Harvi.

- Duhet të blesh ar për llogarinë e aksioneve të mia deri në vlerën 10 milion dollarë, dhe më pas prit për udhëzime të mëtejshme. Përpiqu dhe bli kur tregu i aksioneve të jetë në vlerën më të ulët dhe mos u ngut, prit! Më kuptove?

Jeffrey Archer, i cilësuar si një nga dhjetë romancierët më të mirë të kohës sonë rrëfen mënyrën sesi fitohet paraja. Por  ai shkon më tej: tregon historitë e sakrificës dhe gjakut që i duhet sipërmarrësit për të mbajtur milionshin e parë të dollarëve.

 “Asnjë qindarkë më shumë, asnjë qindarkë më pak”, i cili vjen i shqipëruar nga gazetarja Mirela Milori, botuar nga “Ombra GVG” , është romani i parë  i  Jeffrey Archer-it,  botuar më 1976-ën dhe Thuhet se është frymëzuar nga jeta e vërtetë e tij.

Archer, përpara se të niste një karrierë në letërsi dhe të shndërrohej në një autor bestseller, ishte politikan dhe anëtar i Parlamentit britanik deri më 1974-ën. Nuk kërkoi të rizgjidhej pas skandalit që e la atë buzë falimentimit. Por i gjallëroi të ardhurat e tij si romancier bestseller. Librat e tij kanë shitur rreth 330 milionë kopje në të gjithë botën.

Ai u zgjodh zv/kryetar i Partisë Konservatore, por u detyrua të dorëhiqej pasi një gazetë e akuzoi se i kishte dhënë para një prostitute. Më 1987-ën ai fitoi gjyqin dhe u dëmshpërblye dhe më 1992, doli si kandidat i konservatorëve për t’u zgjedhur kryebashkiak i Londrës, por iu desh të hiqte dorë nga kandidatura pasi u zbulua se kishte gënjyer në çështjen e vitit 1987. Ai u burgos në vitin 2001   deri më 2003-shin për dëshmi të rreme dhe se kishte penguar drejtësinë, duke i dhënë kështu fund karrierës së tij politike.

Kritika ka vlerësuar talentin e jashtëzakonshëm të Archer-it . “Librat e Jeffrey Archer-it janë befasues, tronditës dhe personazhet janë aq të vërtetë sa shpesh të krijohet mendimi se Archer- i ka shkruar biografinë e tij.”, ka shkruar për të e përditshmja britanike, “The Guardian”.

Heroi i romanit të tij “Asnjë qindarkë më shumë, asnjë qindarkë më pak”, Henrik Metelski ishte një prej njerëzve një hap para të tjerëve në kontrollin e parasë.

...Të grumbullosh një milionëshin e parë në mënyrë të ligjshme është e vështirë. Të bësh një milionëshin e parë në mënyrë jo të ligjshme është pak më e lehtë. Të ruash një milionëshin e parë ndoshta është operacioni më i vështirë.  Henrik Metelski ishte prej atyre  të rrallëve  që i kishte menaxhuar të trija këto situata edhe pse një milionëshi i parë i ligjshëm ishte grumbulluar , mbas një milionëshi që kishte përfituar në rrugë jo të ligjshme, ajo që e bëri atë të ishte një hap para të tjerëve ishte fakti që ai arriti t’i mbante nën kontroll këto para...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë