Njerez

Nuk frenohet fluksi, numër rekord emigrantësh kaluan La Manshin këtë fundjavë

Më shumë se 870 emigrantë kaluan Kanalin në 15 varka të vogla ditën e shtunë, numri më i lartë në një ditë të vetme deri më tani në 2023, ndërsa shifra totale e këtij viti i afrohet 21,000.

Niveli i mëparshëm për vitin 2023 ishte kur 756 persona kaluan në 10 gusht.

Numri i përgjithshëm i azilkërkuesve dhe emigrantëve që kanë arritur në Mbretërinë e Bashkuar përmes varkave të vogla në vitin 2023 është rreth 20 për qind më pak në këtë kohë të vitit të kaluar dhe kjo mund të ketë ardhur edhe për shkak të motit të këtij viti ku ka pasur shumë stuhi, cka ka kufizuar numrin e ditëve të kalimit të emigrantëve.

Rekordi i lartë për një ditë të vetme që nga fillimi i regjistrimeve aktuale në 2018 është ende 1,295 më 22 gusht 2022. Totali i mbërritjeve vitin e kaluar ishte 45,755.

Mbërritjet e së shtunës tregojnë se 1172 njerëz kanë hyrë në Britani për një javë.

Në fillim të këtij muaji, gjashtë persona vdiqën pasi një varkë që transportonte njerëz drejt Britanisë së Madhe u përmbys në mes të Kanalit.

Gjithsej 59 persona u shpëtuan nga anija dhe shumica e atyre në bord dhe të gjashtë që vdiqën, ishin shtetas afganë.

Por edhe pse ligjet janë ashpërsuar dhe klandestinëve u ndalohet së fundi të kërkojnë azil në vend, ekzekutivi britanik sërish nuk po arrin ta kontrollojë dot plotësisht situatën. Londra zyrtare nuk ka hequr dorë edhe nga planet e saj për të dëbuar emigrantët në vendet e tyre të origjinës ose në vende të treta, si Ruanda, plane këto që janë bllokuar momentalisht nga gjykatat.

Burimi: The Guardian. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë