Politike

‘Asnjë konflikt interesi’, Plarent Ndreca i PS: Opozita, SHOW në shkelje të ligjit për komisionet hetimore

Nga Gazeta Si - PS refuzon të etiketohet si pala që çon drejt dështimit komisionet hetimore. Nënkryetari socialist i komisionit hetimor për koncesionet në shëndetësi, Plarent Ndreca, i tha Gazetës Si se problemi qendron tek opozita, e cila nuk zbaton ligjin. “Kryetarja e komisionit ka zgjedhur të thërrasë mbledhje të njëanshme të pakonsultuara dhe të pakoordinuara me askënd prej nesh, duke tentuar t’i imponohet komisionit në kundërshtim me ligjin.” tha Ndreca, duke i dhënë përgjigje direkte edhe akuzës së opozitës për konflikt interesi.

“Interesat e mia private janë të deklaruara në Institucionin përkatës shtetëror dhe nuk më rezulton deri tani të kem asnjë konflikt në mes interesave të mia private me ushtrimin e detyrës së anëtarit të komisionit hetimor.” u shpreh nënkryetari i komisionit hetimor për koncesionet në shëndetësi. PS nuk pranon që komisionet do të jenë një dështim, pasi ka ndërmend ta thërrasë vetë mbledhjen, kur elspertët të paraqesin një plan konkret hetimi. Hapa këta që pritet të ndezin akoma më shumë konfliktin mes PS dhe PD në komisione dhe jetën parlamentare. 

Gazeta Si: Pse është bllokuar puna e komisionit hetimor per dy koncesionet në shëndetësi? 

Plarent Ndreca: Nuk ka asnjë bllokim të komisionit hetimor. Është një dezinformim i plotë nga kryetarja e komisionit dhe më vjen keq që e merrni si referencë në pyetje. Ligji parashikon që me caktimin e ekspertëve janë ata që hartojnë planin e hetimit dhe ia propozojnë komisionit. Ekspertët po punojnë intesivisht në hartimin e planit dhe me të qenë ata gati do të thërrasim mbledhjen.

Gazeta Si: Kryetarja e Komisionit ju bën përgjegjës ju si maxhorancë, duke dhënë disa arsye. Një prej tyre është deklarimi i konfliktit të interesit. Është e vërtetë se ju keni qenë avokat i ndonjërit prej të pandehurve për koncesionet? 

Plarent Ndreca: Mazhoranca nuk ka asnjë përgjegjësi dhe nuk është kryetarja e komisionit që përcakton përgjegjësitë e mazhorancës së komisionit. Përkundrazi është përgjegjësi e kryetares së komisionit marrja e masave duke kordinuar punën në mes anëtarëve të komisionit që mbledhjet të zhvillohen. Kryetarja e komisionit ka zgjedhur të thërrasë mbledhje të njëanshme të pakonsultuara dhe të pakoordinuara me askënd prej nesh, duke tentuar t’i imponohet komisionit në kundërshtim me ligjin. Deklarimi apo jo i interesave private është përgjegjësi individuale e çdo deputeti dhe s’lidhet fare me funksionimin e komisionit. Nëse nuk do të ishte kështu, mosdorëzimi i deklaratave të firmosura publikisht nga anëtarët e minorancës në sekretarinë e komisionit, do të përbënte pengesë. Provë kjo e qartë e faktit sesa joserioze është kryetarja e komisionit që edhe pse firmos publikisht ca letra, nuk i dorëzon ato zyrtarisht në sekretari.

Interesat e mia private janë të deklaruara në Institucionin përkatës shtetëror dhe nuk më rezulton deri tani të kem asnjë konflikt në mes interesave të mia private me ushtrimin e detyrës së anëtarit të komisionit hetimor. 

Gazeta Si: Pse keni marrë vendim që të mos bëni kuorumin për mbledhjen e komisionit, kur ai drejtohet nga zonja Vokshi? 

Plarent Ndreca: Nuk ka asnjë vendim të tillë. Kryetarja e komisionit duhet të kujdeset që kur thërret mbledhjet të plotësojë kourumin, një kujdes të tillë jo vetëm nuk e ka treguar, por madje e ka injoruar. Ka injoruar shumicën në komision, duke mos koordinuar dhe as vendosur një axhendë, orë apo plan pune për komisionin me shumicën e tij.

Gazeta Si: Ky komision hetimor mund të thuhet se është kronika e një komisioni të dështuar parlamentar, përderisa ju si PS keni theksuar disa herë se çështja e 2 koncesioneve është në gjykim dhe s’ka ç’provohet më shumë sesa SPAK? 

Plarent Ndreca: Nuk e di kush e thotë dhe konkludon kështu, që qenka kronika e një komisioni të dështuar, por kushdo që e thotë i them të mos nxitohet. Ne do të bëjmë gjithçka që një komision hetimor mundet të bëjë në respekt të Kushtetutës dhe Vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Gazeta Si: Opozita ka vërejtur se ligji i ri i komisioneve hetimore përbën pengesë për të kryer funksionet e kontrollit. Psh ju nuk miratoni as planin hetimor, as kërkesat e opozitës. Mos duhet ndryshuar sërish ligji?

Plarent Ndreca: Ligji është miratuar dhe është përmirësuar në mënyrë të ndjeshme në funksion të respektimit të vlerave dhe parimeve kushtetuese. Komisionet hetimore nuk janë komisionet e opozitës, por të Parlamentit të Shqipërisë. Opozita ka të drejta inicimi dhe kryesimi të komisioneve hetimore, por jo të drejta uzurpimi dhe imponimi të tyre.

Gazeta Si: Në çfarë rrethanash do të bëheni pjesë e normalitetit të punimeve të komisionit? 

Plarent Ndreca: Pyetja nuk është aspak e saktë, pasi nuk ka asnjë jonormalitet në funksionimin e komisionit. Nëse keni për referencë normaliteti thirrjet joligjore dhe aspak normale të kryetares së komisionit më vjen keq po më duhet të them që e keni referencën e gabuar dhe të njëanshme. Siç e shpjegova më lart, ne jemi të detyruar të respektojmë procedurat e parashikuara në ligj dhe jo orekset partiake të çdo krahu qofshin ato. Ne kemi detyrim të realizojmë proces të rregullt ligjor, parim ky i parashikuar në nenin 4 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Në respekt të këtyre vlerave e parimeve ne do të vijojmë funksionimin normal siç e parashikon ligji. Me t’u hartuar plani i hetimit nga ekspertët, ne do të thërrasim mbledhjen dhe do të vijojmë procedurat e tjera të parashikuara.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë