Futboll

Asllani pushton faqet e para të shtypit, Pavard feston me shqiptarin me shqiponjë

Gazeta Si – Ekzaltimi i Kristjan Asllanit pas golit të parë me Interin në ndeshjen ndaj Xhenoas ka qenë imazhi kryesor i shtypit sportiv në Itali. Mediat e shkruara dhe ato online ia kanë kushtuar faqen e parë Interit, të përfaqësuar nga mesfushori shqiptar.

Asllani ka bërë një tjetër ndeshje të mirë dhe Interi ka fituar, ndërsa goli ishte ‘qershia mbi tortë’ për futbollistin e Kombëtares. Tashmë askush nuk ka më dyshime: lojtari shqiptar është ingranuar plotësisht në mekanizmin zikaltër dhe po rritet nga java në javë.

Elozhet për Asllanin kanë qenë të shumta, nga trajneri Inzagi fillimisht, shokët e ekipi, specialistët e futbollit në Itali dhe nga shtypi. Dikush ka komentuar në shqip në profilin e mesfushorit, siç ishte rasti i sulmuesit Turam, që shkruante: “Sa lojtar” (në sensin çfarë lojtari). Dikush tjetër ka mësuar të festojë edhe më shqiponjë.

Mbrojtësi franvez, Benzhamin Pavard, pas golit ka shkuar tek Asllani duke bërë simbolin e shqiponjës dykrenare me duar. Më pas të dy janë përqafuar. Simbolin e shqiponjës Pavard e ka mësuar më parë nga Asllani, të dy e kanë bërë në stërvitjen e Interit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë