Lajme

Askush si Oskar Tabarez, “El Maestro” thellon rekordin me Uruguain

Mjafton t’i shohësh sytë e errët për të admiruar krenarinë e tij. Në një futboll gjithmonë e më të privuar nga heronjtë, Oskar Uashington Tabarez është shembulli më i bukur i atij që nuk dorëzohet kurrë. Ndeshja me Perunë në Kupën e Amerikës, e humbur me penallti, ishte e 200-ta për të në krye të Uruguait. Një shifër e rrumbullakosur, që thellon rekordin e trajnerit me më shumë ndeshje në krye të kombëtares. Tabarez e vendosi rekordin tetorin e kaluar, ku arriti shifrën e 185 ndeshjeve dhe kaloi Jep Herberger, ndërsa tani e ka thelluar, duke shtuar edhe 15 ndeshje të tjera.

Një rekord që merr edhe më shumë vlera, kur mëson historinë e Oskar Tabarezit. “El Maestro”, 72 vjeç, vuan nga sindroma “Guillain-Barrè”, një sëmundje që ka të bëjë me sistemin nervor, që limiton lëvizjen dhe e detyron personin e prekur të lëvizë me paterica. Diagnoza e rëndë është konstatuar në vitin 2016, por nuk arriti të mposhtë karakterin e rrallë dhe kurajën e ish-trajnerin e Kaljarit dhe Milanit. Tabarez nuk është ndalur dhe imazhet e Botërorit të Rusisë të këtij zotërie elegant dhe të fortë, teksa ai ngrihej nga stoli me ndihmën e patericave për t’u dhënë udhëzime të tijve, vështirë të harrohen për të gjithë ata që i kanë parë.

Oskar Tabarez, trajneri 72-vjeçar i Uruguait

Trajneri i Uruguait, i mbiquajtur "El Maestro", lufton prej kohësh me sindromën “Guillain-Barré”, një neuropati periferike që sulmon sistemin e lëvizjes. Por ai nuk ka ndërmend të ndalet. Një shembull i atij që nuk njeh kufij. Tabarez nuk do ta festojë rekordin personal, sigurisht, sepse Uruguai u eliminua nga Kupa e Amerikës, por 200 ndeshjet në krye të kombëtares e bëjnë atë një trajner monumental. Janë 200 ndeshje të ndara në dy faza: e para nisi më 27 shtator 1988 dhe përfundoi në 1990-ën, kurse e dyta nisi në 2006-ën dhe vazhdon ende sot. Në 13 vjet ka fituar një Kupë Amerike (në Argjentinë në 2011-ën), si dhe ka zënë vendin e 4-t në Botërorin e Afrikës së Jugut në 2010-ën. Historia mund të vazhdojë ende gjatë. Në shtator të 2018-ës Uruguai i ka rinovuar kontratën për 4 vite të tjera, duke i siguruar Oskar Tabarezit një vend në historinë e futbollit, që ai e meriton më shumë se askush tjetër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë