Politike

Asgjë e re nga fronti bullgar! Për hapjen e negociatave duhet një mrekulli

Në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel dhe në takimin e liderëve europianë që pason këtë samit, nuk pritet asnjë propozim konkret nga Bullgaria për heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut.

Eurodeputeti i “Renew Europe” dhe raportuesi për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Europian, Ilhan Kyuchyuk, e cilësoi si “shumë të mirë” propozimin francez për zgjidhjen e mosmarrëveshjes dypalëshe me Bullgarinë gjatë seancës së plenare të së mërkurës.

Një burim nga BE tha për mediat bullgare se Brukseli është në pritje të një mrekullie, që do të thotë një vendim i sekondave të fundit nga parlamenti bullgar, që do të hiqte veton duke pranuar propozimin francez.

Por, me qeverinë e rrëzuar dhe agjendën e zënë të parlamentarëve në formimin e shumicës së re, ka pak, ose asfare shpresa që mrekullia të ndodhë. Propozimi francez ka kaluar në plan të dytë në Bullgari dhe në disa media bullgare shkruhet se partitë politike po e kushtëzojnë mbështetjen e këtij propozimi me përfshirjen në qeveri.

Kjo ka nxitur edhe pesimizmin e Kryeministrit të dorëhequr, Kiril Petkov. Ai është shprehur se nuk beson që të ketë një vendim të Parlamentit bullgar për këtë çështje, edhe pas thirrjeve të Komisionerit të Zgjerimit, Oliver Varhelyi, që kërkoi mbledhjen e parlamentit sot dhe marrjën e vendimit të heqjes së vetos po sot.

Pengesa tjetër lidhet me qeverinë. Njerëz të afërt me qeverinë citohen nga mediat bullgare se situata është ndërlikuar nga mungesa e një vendimi të kabinetit të dorëhequr që mund të propozohet për votim në parlament. Për më tepër, vetë statusi ‘i dorëhequr’ i Qeverisë vë në pikëpyetje përputhshmërinë e një propozimi të mundshëm me Kushtetutën bullgare.

Aktualisht, vetëm opozita bullgare e ish-Kryeministrit Boyko Borissov është deklaruar hapur në mbështetje të propozimit francez dhe i vetmi sinjal pozitiv që mban ende gjallë fijet e shpresës se negociatat do të zhbllokohen këtë qershor.

Nëse do të ketë një vendim pozitiv nga Parlamenti bullgar, atëherë mund të thirret një mbledhje e përfaqësuesve të përhershëm të BE-së, pas të cilës Këshilli të thirret për të miratuar vendimin e hapjes së negociatave. Është gjithashtu e mundur të vazhdohet me një procedurë më të thjeshtë me shkrim, pa qenë nevoja e mbledhjes së Këshillit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë