Menaxhim

Si reagojnë financiarisht shqiptarët sapo kalojnë përmbytjet?

Nga Gisela Troplini - Shqiptarët edhe pse i tremben humbjes së pronës nuk janë të gatshëm të paguajnë për ta mbrojtur atë. Në raste fatkeqësish natyrore shumica presin të tjerët të paguajnë për ta.

Të dhënat nga tregu i sigurimeve gjithnjë na sugjerojnë të njëjtin konkluzion.

Përmbytjet e këtyre ditëve dhe pse “anemike” krahasuar me vite më parë kanë gjithnjë një faturë financiare e  cila do të vijojë të paguhet në pjesën dërrmuese nga buxheti i shtetit dhe shumë pak përmes policave vetjake të sigurimit, nga të përmbyturit.

Po pse e themi këtë pa ditur dëmin dhe sa prej të dëmtuarve kanë sigurime? Historiku nuk na jep tjetër përfundim.

Në një monitorim të raporteve nga tregu i sigurimeve gjatë periudhave kur në Shqipëri kanë ndodhur përmbytje, në një vit, primet e sigurimit të pronës, janë rritur shpejt në vlerë dhe në numër kontratash. Por tendenca nuk ka zgjatur, duke sjellë rënie të rritjes ose edhe rënie të primeve.

Në përmbytjen e 2011-s, 14.5 mijë hektarë tokë u pushtuan nga uji në zonën e veriut të vendit, Shkodër, Lezhë dhe fshatrat përreth.

Në fund të vitit 2010, sipas të dhënave nga AMF, sigurimet për mbrojtjen e pronës arrinin deri në vlerën e rreth 940 mln lekëve dhe pothuajse 27.5 mijë kontrata. Një vit më vonë, me një rritje prej pothuajse 10%, vlera e sigurimeve arriti 1.2 mld dhe 30.5 mijë kontrata, me rritje 11%.

Deri në vitin 2015, kur ndodhi përmbytja e radhës, këtë herë në jug të vendit, rritja ishte e ngadaltë dhe herë pas here edhe me rënie. Në 2015-n vlera e primeve për sigurim prone ishte 1.9 mld dhe mbi 37 mijë kontrata. Një vit më vonë, në 2016-n, vlera e sigurimeve pësoi rënie me 1.7% në 1.8 mld, por numri kontratave pësoi rritje me 13.2%, në 43.2 mijë.

Pothuajse 10 mijë Ha tokë u përmbytën atë vit, në fshatrat ku rridhte lumi i Vjosës.

Në përmbytjen e 2017-së, ku u prek përsëri veriu i Shqipërisë, me mbi 10.6 mijë ha tokë nën ujë, sigurimet e pronë luhateshin po në të njëjtat vlera si 2015-2016, në 1.9 mld lekë dhe me rritje 3.6%. Por numri i kontratave pësoi rënie me 8%, duke u kthyer në nivelet e 39 mijve. Një vit më vonë pas fatkeqësisë së 2017-s, vlera e sigurimeve të pronës arriti për herë të parë shifrën e 2 mld lekëve, me rritje 9.2% dhe 1.5 mld kontrata, me 152% rritje. Atë vit u rritën ndjeshëm edhe dëmshpërblimet për këtë zë nga kompanitë e sigurimeve.

Gjithsesi, trendi i përkohshëm nuk zgjati as këtë herë. Në vitin 2019, vlera e sigurimeve zbriti  në 1.95 mld lekë. Por fundi i të njëjtit vit u shoqëruam me një tërmet tronditës në qendër të Shqipërisë, por që nuk u reflektua si kërkesë e shtuar për këtë zë.

Më herët, në një përpunim të dhënash nga Gazetasi.al, tregohej se tërmeti dhe Covid-19, kishin sjellë një rritje të primeve për sigurimin e pronës dhe shëndetit, për t’u zbehur në më pak se një vit. Këtë herë, përballë përmbytjeve në vend, pritet i njëjti trend sigurimesh, po për pronën, njësoj si në rastet e mëhershme të përmbytjeve në vend.

Blerim Bytyçi, drejtor i marketingut në kompaninë e sigurimeve, Eurosig, në Shqipëri tha më herët për Gazetasi.al se dëshira e kërkesat e klientëe shqiptarë mbesin të tilla e nuk kthehen në shifra.

“Pas lëkundjeve të forta sizmike të tërmeteve të 2019, interesi për sigurimin e pronës ishte mjaft i lartë. Por, ishte thjesht interes për të marrë informacion mbi sigurimin e pronës, pasi kjo nuk u konkretizua nga konsumatori. Janë interesuar me mijëra familjarë dhe biznese, por vetëm 0.1 % e tyre u pajisën me sigurim prone”, -shpjegon Bytyçi, duke treguar dhe se në disa vende të Europës Jug-Lindore, sigurimi i pronës nga fatkeqësitë natyrore është bërë i detyrueshëm.

“Në këtë mënyrë në rast dëmtimi të pronave, të siguruarit nuk i mbajnë sytë nga qeveria, por marrin dëmshpërblim maksimal për dëmet që u shkaktohen pronave të tyre.”

Ndërkohë, vetë AMF në studimin e bërë post-tërmetit, thekson se edhe rritja që ndodhi ishte rezultat i rritjes së pjesës së risiguruesve.

Sipas ekspertëve të këtij tregu, ky trend është shumë larg nga sensibilizimi dhe realisht "vullneti", por nga banka. "Qytetarët apo bizneset, bëjnë sigurimin e pronës nga zjarri sepse është kusht primar kur ata marrin një kredi për banesë. Që banka tregtare ta pranojë kërkesën, duhet të sigurohet që banesa që t'i do blesh apo edhe ajo që lë garanci, të jenë të sigurta", thotë jozyrtarisht një ekspert financiar për Gazetasi.al.

Gjithsesi, rritja nuk është ende masive, pasi sigurimet e jo-jetës vazhdojnë të mbajnë më shumë se 92% të totalit të tregut dhe kjo për shkak të sigurimeve të detyrueshme motorike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë