Dekreti për emërimin e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshi do të qëndrojë “pezull” të paktën deri të martën.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta ndodhet me një vizitë zyrtare në Stamboll të Turqisë dhe për këtë arsye, sipas burimeve pranë Presidencës, nuk pritet që të ketë një zhvillim sa i përket çështjes së dekretimit të ministrit të ri të Brendshëm, Sandër Lleshi.
Kreu i shtetit pritet që të kthehet nesër nga vizita e tij në Turqi. Arsyeja e vizitës zyrtare është ftesa e presidentit Erdogan për të marrë pjesë në ceremoninë inaugurimin e aeroportit të ri të Stambollit.
Në këtë event mësohet se marrin pjesë disa kryetarë shtetesh, ku mes tyre është edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Simbolika e inaugurimit të këtij aeroporti përkon me 95-vjetorin e themelimit të Republikës së Turqisë.
Sipas burimeve mësohet se ftesa për këtë ceremoni ka qenë edhe për kryeministrin Edi Rama, por shefi i qeverisë shqiptare për arsye të angazhimeve nuk ka udhëtuar drejt Stambollit, duke shmangur një përballje me presidentin Meta.
Kryeministri Edi Rama i ka paraqitur në fundjavë Presidentit Meta propozimin për të shkarkuar nga detyra ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe emërimin në vend të tij, të gjeneral Sandër Lleshin, i cili aktualisht është këshilltar i kryeministrit për Çështjet e Sigurisë.
Presidenti të shtunën në mënyrë të menjëhershme firmosi dekretin numër 10922 për shkarkimin si ministër të Fatmir Xhafajt.
Ndërsa për emërimin e pasardhësit në krye të këtij dikasteri ende nuk është shprehur. Në bazë të nenit 98 të Kushtetutës “1. Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, brenda 7 ditëve. 2. Dekreti shqyrtohet brenda 10 ditëve nga Kuvendi”.
Edhe më parë ka pasur përplasje në lidhje me dekretet e ministrave. Kujtojmë se konflikti më i fundit ka qenë ai i dy viteve më parë, ku presidenti Nishani tejkaloi afatin kushtetues për t’u shprehur për propozimet e paraqitura për shkarkim e emërim ministrash. Nishani firmosi shkarkimin e Shkëlqim Canit dhe të Arben Ahmetaj, si ministra të Financave dhe të Ekonomisë, por la pezull propozimet për emërime ministrash.
Një përplasje e tillë ndodhi në shkurt 2016. Nishani asaj kohe iu drejtua dhe Gjykatës Kushtetuese për interpretim, pasi Kuvendi nuk mori votoi dekretin për shkarkimin e ministrave, duke pritur dekretet për emërimet, për të realizuar votim njëherësh. Por Nishani në letrën drejtuar Kushtetueses argumentonte se duhej të votoheshin dekretet e shkarkimit dhe më pas ato të emërimit të ministrave të rinj.
Por më pas kreu i shtetit papritmas u tërhoq nga "kokëfortësia" e tij, duke firmosur për emërimin e Arben Ahmetajt dhe të Milva Ekonomit. Ndërsa votimi u bë në 25 shkurt.
Nuk ka ndonjë paralelizëm me këtë rast me dekretin e ministrit të Brendshëm, por konstitucionalistët gjatë përplasjes së ndodhur mes mazhorancës socialiste dhe presidentit Nishani, deklaronin se një bllokim i tillë ishte i panevojshëm, pasi dekreti për ministrat ishte thjesht një formalizëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.