Libra

As Murakami dhe as Ulitskaya, norvegjezi Jon Fosse fiton Nobelin në Letërsi

Çmimi Nobel në Letërsi për vitin 2023 i jepet shkrimtarit norvegjez Jon Fosse, “për dramat dhe prozën e tij novatore që i japin zë të padukshmes”.

“Fosse e fitoi çmimin për dramat dhe prozën e tij novatore, që u japin zë të pathënave”, njoftoi Akademia Suedeze.

I përshkruar nga kjo akademi “si një nga dramaturgët më të njohur dhe më të interpretuar të kohës sonë, ai është gjithashtu i vlerësuar për prozën e tij”.

I lindur në vitin 1959, ai ka një stil shumë të reduktuar që është njohur si minimalizmi i Fosse”, tha akademia.

“Shkrimi i tij ekspozon humbjen e orientimit të njeriut”, tha akademia.

Fosse “është sot një nga dramaturgët më të interpretuar në botë dhe njihet gjithnjë e më shumë për prozën e tij. Gjendja njerëzore është tema qendrore e punës së tij”.

Fosse, i lindur në vitin 1959, konsiderohet gjerësisht një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të kohës sonë.

Për gati 40 vjet ai ka shkruar romane, drama, poema, tregime, ese dhe libra për fëmijë.

Veprat e tij janë përkthyer në më shumë se 50 gjuhë dhe dramat e tij janë vënë në skenë mbi një mijë herë në mbarë botën.

Paçka se kishte shprehur shpesh skepticizëm për teatrin, ai ka shkruar dramën e tij të parë në vitin 1992, duke e përshkruar më vonë këtë si zbulimin më të madh në jetën e tij artistike.

Ai shkroi drama me një ritëm të furishëm gjatë këtyre viteve, duke u shfaqur shpejt në skenat më të rëndësishme norvegjeze.

Dhe pas vetëm disa vitesh dramat e tij u shfaqën edhe jashtë vendit.

Sot, dramat e Jon Fosse janë luajtur në të gjithë botën.

Ai ka shkruar më shumë se 30, duke përfshirë “Namnet”, “Vinter”, “Ein sommars dag”, “Draum om hausten” dhe “Dødsvariasjonar”.

Edhe pse është më i njohur si dramaturg, Fosse ka shkruar edhe në zhanre të tjera në një nivel jashtëzakonisht të lartë.

Përveç shkrimeve të tij, Fosse ka përkthyer shumë vepra, si në prozë ashtu edhe duke krijuar versionet e tij të reja të një numri dramash.

Mes pretendentëve për çmimin e këtij viti ishte shkrimtari ukrainas Andrej Kurkov, autori japonez Haruki Murakami, shkrimtarja dhe skenaristja ruse Lyudmila Ulitskaya dhe shkrimtari kinez Can Xue.

Çmimi Nobel për Letërsinë jepet nga Akademia Suedeze. Pas shpalljes së fituesit, që tradicionalisht bëhet të enjten e parë të tetorit, çmimi ndahet në dhjetor gjatë një ceremonie publike.

Fituesi i parë në vitin 1901 ishte poeti francez Sully Prudhomme. Franca është gjithashtu vendi me më shumë çmime: 15 të tilla duke kaluar Shtetet e Bashkuara me 12 dhe Mbretërinë së Bashkuar me 11.

Çmimi jepet çdo vit, me përjashtime siç ndodhi në edicionin e vitit 2018, kur, për shkak të një skandali që përfshiu Akademinë, zgjedhja u shty me një vit.

Në vitin 2019 u shpallën dy fitues njëherësh, një për vitin 2018, shkrimtarja polake Olga Tokarczuk, dhe një për vitin 2019, autori austriak Peter Handke.

Në vitin 2022, shkrimtarja franceze Annie Ernaux mori çmimin Nobel për Letërsinë, duke e çuar numrin e grave në 17 nga 118 fitues.

Fituesi më i ri është Rudyard Kipling, i cili ishte 41 vjeç kur fitoi çmimin Nobel për Letërsinë, në 1907. Më e moshuara, Doris Lessing, e cila ishte 88 vjeçe kur mori çmimin në vitin 2007.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë