Drejtësia

As ky nuk ishte viti i drejtësisë

SPAK-ut iu desh thuajse një vit që të kopsiste një dosje të bujshme, por të vjetër! Byroja Kombëtare e Hetimit nuk është ende e plotë! Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë nuk po gjen dot kandidatë që të plotësojnë kriteret ligjore, ndaj kërkon ndryshimin e ligjit! Gjykata e Lartë është ende larg funksionimit! Vettingu vijoi me ritme të ngadalta dhe Gjykata Kushtetuese u bë funksionale në një proces të sforcuar pa garë dhe në shkelje të Kushtetutës.

Ky është bilanci që ofron 2020 për drejtësinë, ku zhvillimi më pozitiv është ai i plotësimit të kuorumit të vendimmarrjes në Gjykatën Kushtetuese, pas pothuajse 3 vitesh. Edhe në këtë rast, ashtu si në shumë vendime të marra nga politika dhe institucione e reja të krijuara në kuadër të reformës në drejtësi, ky rezultat ishte produkt i presionit ndërkombëtar, sidomos i ambasadores së SHBA, Yuri Kim.

Kryediplomatja ndoqi të njëtën strategji përmes të cilës detyroi politikën që të nënshkruante paktin e 5 qershorit; afatet! Në shtator, kur Kuvendi niste sesionin e ri Parlamentar, Kim deklaronte se nuk shihte asnjë pengesë se përse vendi të mos kishte një Gjykatë Kushtetuese funksionale brenda vitit.

"Sikurse jeni në dijeni, Shqipëria ka qenë pa një Gjykatë Kushtetuese për një kohë të gjatë. Kjo nuk është një situatë e pranueshme për një vend që është anëtar i NATO-s dhe një vend që aspiron të anëtarësohet në BE”, deklaronte Ambasadorja.

Fill pas kësaj deklarate, Presidenti shpall thirrjen për herë të katërt për shprehje interesi nga kandidatët për një nga dy vakancat që i kishin mbetur dhe të njëjtën gjë bën edhe Kuvendi. Deri në këtë fazë, me përjashtim të periudhës së karantinës, kur që të dyja këto institucione dhe vetë Këshilli i Emërimeve në Drejtësi pezulluan punën në këtë drejtim, thirrjet ishin hapur disa herë.

Por, listat e kandidatëve që dorëzoheshin nga Presidenca dhe Kuvendi në KED “qetheshin” nga kjo e fundit dhe në garë mbësnin një apo dy emra, duke mos plotësuar kriterin kushtetues për të paktën 3 emra në garë. Edhe në këtë rast nuk ndryshoi gjë. KED kreu vlerësimin e tyre dhe për vakancën e Kuvendit çoi vetëm një emër, atë të Altin Binajt dhe për vakancat e Presidentit dy lista, njërën me një emër dhe tjetrën me dy.

Nën presionin e Yuri Kim se Gjykata Kushtetuese duhej të ngrihej brenda vitit, Presidenti dhe Kuvendi shpërfillën kriterin kushtetutes të të paktën tre emrave në garë dhe votuan e dekretuan Altin Binajn, Përparim Kalon dhe Sonila Bejtjas. Pavarësisht këtij ceni, plotësimi i vakuumit në Kushtetuese brenda afatit të vendosur prej saj u përshëndet nga Yuri Kim.

https://twitter.com/USEmbassyTirana/status/1343647667650506753

“Lëmshi” me kandidaturën e Zhaklina Petos dhe largimi i Dvoranit

Zhaklina Peto ka paditur për herë të tretë Këshillin e Emërimeve në Drejtësi për shkak të përjashtimit nga gara për anëtare të Gjykatës Kushtetuese. Në dy herët e parë, Gjykata Administrative e riktheu në garë, ndërsa herën e tretë KED tha se ajo ishte dorëhequr, që vetë Peto e mohon.

I vetmi rezultat që dhanë paditë e ngritura prej Petos ishte shtyrja e procesit të përzgjedhjes në KED të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Pas deklaratës së KED se ajo ishte dorëhequr, Zhaklina Peto paditi në SPAK kryetaren KED, Vitore Tusha dhe relatoren që e verifikoi Miranda Andoni.

Zhaklina Peto, ish-kandidate për anëtare në Gjykatën Kushtetuese

Më shumë se pandemia dhe karantina në pezullimin e punës në gjysmën e parë të vitit nga ana e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi ishte përplasja e Presidencës me ish-kreun e KED-së, Ardian Dvorani. Meta kërkoi në fund të prillit nga Këshilli i Lartë Gjyqësor që të deklaronte përfundimin e mandatit të tij si anëtar i Gjykatës së Lartë.

Dvoranit i kishte përfunduar prej kohësh mandati i anëtarit të Gjykatës së Lartë dhe ka patur debate mbi kushtetueshmërinë e vazhdimit të ushtrimit të detyrës prej tij. Këtë ka shfrytëzuar Presidenti Meta, që i ka dërguar një shkresë KLGj-së ku i kërkon që të ndërpresë mandatin e Dvoranit. Presidenca pretendonte se në 2016-të, në në kohën që Kuvendi po shqyrtonte ndryshimet kushtetuese në kuadër të reformës në drejtësi Gjykata Kushtetuese shfuqizoi nenet e ligjit për funksionimin e Gjykatës së Lartë, mbi bazën e të cilave Ardian Dvorani vazhdonte të ushtronte detyrën.

Presidenti thotë se ky vendim i Gjykatës Kushtetuese sjell ndërprerjen e menjëhershme të mandatit të gjyqtarit të lartë për Ardian Dvoranin dhe se ai ka vijuar ushtrimin e detyrës në shkelje të Kushtetutës dhe të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Meta akuzonte Qeverinë se ka luajtur një rol thelbësor në këtë shkelje. Presidenti thotë se u bllokua qëllimisht publikimi në Fletoren Zyrtare i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, derisa hynë në fuqi ndryshimet e reformës në drejtësi. Këto ndryshime sollën edhe modifikimet e rregullave për mandatet e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, duke u lejuar anëtarëve që u kishte përfunduar mandati qëndrimin në detyrë deri në momentin e zëvendësimit.

Letra e Metës është dorëzuar më 10 prill me protokollin numër nr.1117/2. Këshilli i Lartë Gjyqësor u mblodh më 16 prill duke e pranuar atë për shqyrtim. Manovra e Presidentit Meta për t’iu drejtuar KLGj-së për largimin e Ardian Dvoranit mbërrinte pas denoncimeve të tij penale në prokurori ndaj kreut të KED-së. Më 11 qershor, KLGj vendosi ndërprerjen e mandatit të Dvoranit si gjyqtar i lartë dhe largimin e tij nga posti i kryetarit të KED-së. Dvorani e kundërshtoi pa sukses këtë vendim.

Asgjë e re nga fronti i Gjykatës së Lartë

Me rreth 40 mijë dosje që presin në sirtarë prej vitesh, Gjykata e Lartë është një prej institucioneve më urgjente për t’iu rikthyer funksionimit me kapacitete të plota të saj. Kjo trupë duhet të përbëhet nga 19 gjyqtarë, por fundi i 2020 e gjen me vetëm tre të tillë.

Ata janë Sokol Sadushaj, Ervin Pupe dhe Ilir Panda, që u zgjodhën nga KLGj dhe betuan para Presidentit si anëtarë në muajin mars të këtij viti. Zgjedhja në bllok e tyre krijoi përshtypjen se puna për plotësimin e kësaj gjykate do të ecte me ritme të shpejta.

Por, 2021 do ta gjejë Gjykatën e Lartë me më pak anëtarë nga sa kishte pas betimit të tre anëtarëve të rinj. Në mars, Sadushaj, Panda dhe Pupe iu bashkuan Ardian Dvoranit, i vetmi “i mbijetuar” i vettingut në këtë institucion. Me largimin e Dvoranit në qershor, numri u reduktua sërish në tre.

SPAK – 1 vit për dy dosje të bujshme

Prokurorisë së Posaçme iu desh rreth një vit nga ngritja që të zbardhte dy vrasje të bujshme të ndodhura gjatë vitit 2005. Ngjarja e parë është ajo e vrasjes së Klodian Saliut, një ish-anëtar të bandës së Durrësit, i njohur edhe si biznesmen, kurse vrasja e dytë e zbardhur është ajo e biznesmenit, Vajdin Lamaj në Tiranë.

Për dy vrasjet SPAK ka lëshuar 6 urdhër-arreste. Gjykata e Posaçme ka caktuar masat e sigurimit “arrest në burg”, ndaj shtetasve Lulzim Berisha, kunatit të tij, Plarent Dervishaj, Indrit Taulla dhe Luftar Reçi, për vrasjen e Klodian Saliut, të njejtët akuzohen, edhe për vrasjen e biznesmenit Vajdin Lamaj dhe mikut të tij Artan Arsi.

Po ashtu GJKOK ka caktuar masën e sigurimit “arrest në burg”, ndaj shtetasve Emiljano Shullazi dhe Viktor Ymeri (Imeraj) për vrasjen e Vajdin Lamaj dhe mikut të tij Artan Arsi. Zbardhja e këtyre ngjarjeve mori udhë pas dëshmisë së të penduarit Lufta Reçi. Ky i fundit ka firmosur më 26 nëntor deklaratën e bashkëpunëtorit të drejtësisë, duke nxjerrë emrat e Lul Berishës (në arrati) dhe Emiljano Shullazit si të përfshirë në vrasjet në fjalë.

Kjo është goditja më e madhe e SPAK për 2020 sa i takon krimit të organizuar, ndërsa për akuzat e korrupsionit, vepër penale që në kuadër të reformës në drejtësi është përfshirë në kompetencë të Prokurorisë së Posaçme në sirtarë ka shumë dosje të nxehta, por asnjë të arrestuar.

Bëhet fjalë për padi në lidhje me koncesionet, si ai i Check Up-it, që ishte e para padi e dorëzuar në SPAK nga Nisma Thurje. Po për Check up-in ka dorëzuar një padi edhe Partia Demokratike. Po ashtu SPAK ka marrë edhe paditë e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit ngritur ndaj drejtuesve të Bashkisë së Tiranës dhe një tjetër padi për inceneratorët.

SPAK e ka argumentuar ngërçin me mungesën e burimeve njerëzore, edhe pas emërimit me mandat të plotë të Vladimir Maras dhe Dritan Prençit në këtë strukturë në muajin mars. Prençi e Mara u komanduan në dhjetor të 2019 në SPAK për të plotësuar numrin 10 të prokurorëve, që ishte numri minimal i përcaktuar në Kushtetutë për funksionimin e kësaj prokurorie.

Se në çfarë faze janë hetimet për paditë e bujshme të korrupsionit pak dihet. Por, ajo që dihet është se vendimi i parë për korrupsion është më e pakta qesharak. Viktimë ishte një i ri korçar që u përpoq të korruptojë me 500 lek të reja një polic rrugor. SPAK e hetoi dhe mori nën hetim autorin dhe në përfundim të procesit e dënoi atë me 40 orë punë të detyruar, ndërsa urdhëroi që 500 lekshi t’i kalonte buxhetit të shtetit.

Krimet zgjedhore dhe dosja 184

SPAK trashëgoi nga Krimet e Rënda dy dosje të bujshme të krimit zgjedhor, 339 e Durrësit dhe 184 e Dibrës. Në janar, prokurorët e posaçëm vendosën që të përcjellin sërish tek Prokuroria e Dibrës këtë dosje, pasi nuk gjetën elementë të grupit të strukturuar kriminal, ndërkohë që me kodin zgjedhor që ishte në fuqi, krimi elektoral nuk ishte kompetencë e hetimit të tij.

SPAK argumentonte se shit-blerja e votave në këtë dosje nuk ishin në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Vendimi u kritikua nga Partia Demokratike.

“Akti i shërbëtorit të Edi Ramës në krye të SPAK-ut godet çdo pritshmëri se Arben Kraja mund të sillej ndryshe nga Donika Prela, për sa kohë padroni i tyre është në krye të qeverisë. Duke ridërguar dosjen 184 në Dibër, drejtuesi i SPAK, praktikisht ka varrosur hetimin e një krimi të dokumentuar zgjedhor, i cili është kusht i Bundestagut gjerman për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, deklaronte Sekretari i Përgjithshëm i SPAK, Gazment Bardhi.

Prokuroria e Dibrës përfundoi hetimet në fillim të dhjetorit duke marrë të pandehur 4 persona me akuzat e “shpërdorimit detyrës” dhe të “kanosjes së zgjedhësve”. Të pandehur u morën Robert Aga ish-shef komisariati në Dibër, i akuzuar për shpërdorim detyre; Drini Gjeçi, ish-drejtor i arsimit, akuzuar për shpërdorim detyre dhe kanosje të zgjedhësve; Nuri Meda, zyrtar në njësinë administrative Tomin, akuzuar për shpërdorim detyre dhe Hasan Hoti, Njësia administrative Lurë, akuzuar për kanosje të zgjedhësve.

Për pjesën tjetër të personave nën hetim, Dionis Imeraj, Imer Lala, Arben Keshi, Bekim Krashi, Afrim Mikli, prokuroria kërkoi pushimin e çështjes. Prokuroria thotë se ata kanë kryer veprën penale të shitblerjes së votës por për shkak të tejkalimit të afatit 3-vjeçar vepra penale është parashkruar, ndaj s’mund të merren në përgjegjësi penale. Dosja 184 kaloi të paktën 5 herë nga Dibra në Tiranë fillimisht te Krimet e Rënda dhe më pas te SPAK.

PD tha se drejtësia nuk mund të vihet në vend me disa peshq të ngordhur, ndërsa e apeloi vendimin e Prokurorisë së Dibrës. “Hetimi, i nisur mbi bazën e kallëzimit të PD zgjati me shumë se 4 vjet, me synimin taktik të paligjshëm për te tejkalusr afatet proceduriale për të shmangur ndëshkueshmërinë e personave, që kanë kryer krime elektorale”, tha Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi.

Peripecitë e BKH-së

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë thotë se ka shpenzuar gati 4 mln dollarë për të ngritur sa më shpejt Byronë Kombëtare të Hetimit, që konsiderohen edhe si motori i vërtetë i makinerisë së SPAK-ut.

Por, edhe 2020 e gjen vendin pa BKH. Pas vonesave të procesit edhe për shkak të pandemisë, gara për kandidatët u rihap. Fundi i shtatorit u vendos si afati i fundit për paraqitjen e kandidaturave. Në përfundim të këtij afati ishin më shumë sse 300 emra në garë për 60 vende. Numri i lartë i tyre krijoi përshtypjen se nuk do të ishte e vështirë përzgjedhja dhe plotësimi i këtyre vendeve.

Por, pas kalimit të katër fazave, që nga verifikimi i plotësimit të kritereve ligjore, aftësive fizike, testit intelektual dhe testit të së vërtetës, lista u katandis në vetëm 39 emra për 60 vende. Për këta emra ka përfunduar testi i i makinës së të vërtetës dhe nisja e procesit të vettingut dhe verifikimit të pasurisë. Ky proces parashikohet që të zgjasë deri në shkurt të vitit të ardhshëm, kur edhe do të rihapet gara për plotësimin e 21 vendeve të tjera në këtë strukturë.

As ILD nuk gjen kandidatë të kualifikuar

Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë është “prokurori” i prokurorëve dhe gjyqtarëve. Ky institucion është nismëtari i masave administrative, disiplinore e deri tek shkarkimi për punonjësit e drejtësisë që gjenden në shkelje të detyrës së tyre.

Por, 10 muaj pas ngritjes, ILD kërkon që të ndryshohet ligji. Kërkesa i është dorëzuar Ministrisë së Drejtësisë thotë se nuk po funksionon siç duhet për shkak të mungesës së inspektorëve.

Nga 28 inspektorë që duhet të ketë ILD aktualisht ka vetëm një prej tyre të emëruar. Vakancat janë shpallur disa herë, por asnjë gjyqtar nuk ka shprehur interesin dhe për shkak të kritereve të forta të vendosura për pranim dhe eksperiencë 13-vjeçare në punë. Për këtë arsye, një nga kërkesat e ILD drejtuar Ministrisë është dhe zbutja e kritereve për pranimin e inspektorëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë