Drejtësia

Gjykata e Lartë: Për 8 muaj me 3 anëtarë shqyrtuam rreth 2 mijë çështje

Gjykata e Lartë dha informacion mbi ecurinë e institucionit që deri më tani funksionon vetëm me 3 anëtarë.

Zv.kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi është shprehur se në 8 muaj nga prilli deri në dhjetor Gjykata e Lartë me vetëm 3 anëtarë ka mundur të shqyrtojë rreth 2 mijë çështje, jashtë pritshmërive të qytetarëve.

“Sfidat kryesore të trupës së re gjyqësore, të emëruar në muajin Mars të këtij viti, ishin identifikimi i situatës, marrja e masave organizative procedurale, si dhe hartimi i një metodologjie, që do të ndihmonin në trajtimin efikas dhe cilësor të dosjeve të shumta që prisnin prej vitesh, duke mos ceduar nga objektivi strategjik i shndërrimit të Gjykatës së Lartë në modelin e një gjykate ligji, që konsolidon dhe nuk ç’orienton praktikën gjyqësore, me synim fitimin e legjitimitetit institucional dhe rritjen e besueshmërisë në publik.
Trupa e re me 3 gjyqtarë u përball me një ngarkesë prej 35,196 çështje gjyqësore të pashqyrtuara; me çështje të ardhura në Gjykatë në vitit 2010 e 2011 që prisnin shqyrtimin, të cilat ngarkoheshin, jo vetëm me detyrimin për t’u gjykuar sipas ligjit të kohës (i ndryshuar disa herë), por edhe me kompleksitetin e kthimit për rigjykim dhe mbajtjes së hapur të konflikteve të hershme mes palëve; me një numër të konsiderueshëm të vendimeve të formës së prerë të pezulluara që në vitin 2013; me vendime të prishura e të kthyera për rigjykim nga gjykatat e apelit; me një numër të lartë ankimesh të veçanta, por edhe me mjaft çështje të mbetura pezull prej vitesh, për shkak të ngritjes së mosmarrëveshjes së kompetencës nga gjykatat, apo të konflikteve juridiksionale etj”, tha ai në deklaratën për mediat.

Sadushi thekson se në muajt e parë të 2021 kërkohet plotësimi me trupë të re i Gjykatës së Lartë.

“Ky angazhim i përbashkët ka qenë qartësisht orientues për objektivat tona. Ato mund të përmblidhen kryesisht në këto çështje:

  • Plotësimi në muajt e parë të vitit 2021, me të paktën një trupë të re gjyqtarësh dhe, në vijimësi, formatimi i plotë i përbërjes së saj,
  • identifikimi i çështjeve ligjore me përmbajtje të njëjtë në lëndë që synon marrjen e vendimeve që unifikojnë praktikën gjyqësore,
  • miratimi së fundmi i modelit të strukturës së Gjykatës së Lartë, si dhe përshtatja e saj me nevojat e gjykimit që paraqiten nga realiteti i ri kushtetues dhe ligjor,
  • miratimi brenda tremujorit të parë të vitit 2021 të ndryshimeve të domosdoshme në legjislacionin procedural, të cilat e bëjnë më efektiv gjykimin në Gjykatën e Lartë,
  • finalizimi me sukses i emërimit të tre gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese,
    Realizimi sa më parë i këtyre objektivave dhe angazhimi i vazhdueshëm i të gjithë aktorëve, të përfshirë në këtë proces, janë tregues të rëndësishëm dhe shpresëdhënës se drejtësia do të bëhet”, tha ai ndër të tjera në deklaratën për mediat.

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë