Gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Artan Zeneli, nuk e kalon Vettingun. KPK e shkarkon nga detyra. Gjatë dhënies së vendimit, ai nuk ishte i pranishëm.
Artan Zeneli doli një ditë më parë para Vettingut dhe një fakt që doli në seancë ishte se gjyqtarit i është revokuar viza për në SHBA më 26 janar të vitit të kaluar. KPK thotë se këtë fakt nuk e ka deklaruar tek formulari për kontrollin e figurës. Një problem tjetër doli me deklarimet për mënyrën se si anëtari i Gjykatës së Lartë ka blerë një vilë disakatëshe në një zonë rezidenciale tepër të njohur në Tiranë.
Artan Zeneli e ka filluar karrierën në vitin 1991 si gjyqtar, është shkëputur për një dekadë për të ushtruar profesionin e avokatit dhe është rikthyer sërish në sistem në vitin 2009. Në vitet 1991-1999 ai ka punuar si gjyqtar në Krujë dhe në Tiranë. Në vitin 1999, Zeneli është larguar me dëshirën e tij për t’u bërë avokat, profesion të cilin e ka ushtruar deri në vitin 2009, duke qenë njëkohësisht edhe këshilltar ligjor për kompanitë AMC, Top Channel apo INSIG.
Në qershor të vitit 2009 rikthehet në detyrën e gjyqtarit dhe kryetarit të Gjykatës së Tiranës-zgjedhje e cila u kontestua asokohe nga ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Artan Zeneli u zgjodh anëtar i Gjykatës së Lartë në korrik 2012 nga Kuvendi i Shqipërisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.