Politike

Arta Marku kaloi Vettingun, PD akuzon: Standarde të dyfishta!

Mes tymit të flakadanëve dhe sendeve të tjera të forta të hedhur në drejtim të saj nga ana e deputetëve të opozitës, Arta Marku u betua kryeprokurore e përgjithshme e përkohshme më 18 dhjetor të vitit të kaluar.

Për kandidaturën e saj votuan 69 deputetë të mazhorancës. Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim thanë se votimi ishte antikushtetues, nuk plotësonte tre të pestat që parashikonte dokumenti themeltar i shtetit dhe për më tepër, Arta Marku, që deri në atë moment ishte kandidate për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, nuk kishte kaluar në sitën e vettingut.

“Jam jashtë ndikimit politik, pikënisje kam profesionalizmin, nuk i detyrohem askujt për asgjë. Nuk kam qenë asnjëherë subjekt i ndonjë procedimi. Së fundmi jam bërë pjesë e garës për KLP. Unë iu përgjigja thirrjes publike pasi i plotësoj kushtet për t’u zgjedhur në këtë post, e shoh prokurorinë në kaos”, deklaronte në atë kohë vetë Prokurorja.

Gjashtë muaj e gjysmë më vonë, Arta Markut i erdhi radha për të kaluar në procesin e rivlerësimit për aftësinë profesionale dhe për integritetin.

Sa i takon pasurive, kryeprokurorja posedon 1/3 e një shtëpie banimi me sipërfaqe 55 m2, ku siç duket është banesa e prindërve. Në vitin 2007, Marku, së bashku me bashkëshortin deklarojnë blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 103 m2, me vlerë 5 000 000. Apartamenti është blerë me anë të një kredie dhe nga kursimet. Ndërkaq, në vitin 2015, bashkëshorti i zonjës Marku deklaron 25 për qind të një apartamenti me sipërfaqe 60 m2, fituar nga privatizimi i banesës shtetërore.

Kryeprokurorja deklaron vetëm pagën e saj si prokurore ndër vite dhe pagën e bashkëshortit nga pozicioni oficer i policisë gjyqësore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër. Nga viti 2011, kryeprokurorja deklaron edhe të ardhura si pedagoge e jashtme në Universitetin “Gjon Buzuku”, Shkodër.

Gjatë seancës KPK vlerësoi se sipas ILDKPKI kryeprokurorja Marku ka bërë deklarim të saktë, ka burime të mjaftueshme financiare dhe nuk ka konflikt interesi. KPK thotë se nuk ka fshehje pasurie, nuk ka as deklarim të rremë. “Ne kemi bërë hetim të thelluar dhe të pavarur. Hetimi nga KPK është bërë për pasuritë, një apartament banimi 103m2 me vlerë 5 mln lekë me adresë në Perash, Shkodër”, thotë KPK.

Por, drita jeshile e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për Partinë Demokratike tregon standardet e dyfishta me të cilat po zbatohet vettingu. Nga demokratët reagoi Enkelejd Alibeaj.

Deputeti Enkelejd Alibeaj akuzoi se vettingu po zbaton standarde të dyfishta

“Deri tani kemi konstatuar aplikimin e standardeve të dyfishta nga organet e vettingut, në varësi të preferencave politike mbi gjyqtarë dhe prokurorë të caktuar, të cilët edhe pse në kushte të njëjta, fatin e kanë patur të ndryshëm. Një provë e fortë mbi këtë u dha sot, ku radha për vetting i erdhi kamikazes së Edi Ramës në prokurori”, tha ai.

Sipas demokratëve, do të mjaftonin vetëm shkeljet e bëra nga Arta Marku në gjashtë muaj në krye të Prokurorisë së Përgjithshme që ajo të mos kalonte vettingun.

“Është fakt i njohur botërisht që Arta Marku në 6 muaj në Krye të organit të prokurorisë, ka shkelur në mënyrë flagrante ligjin, duke bërë emërime e komandime të paligjshme të prokurorëve, duke emëruar e shkarkuar drejtues prokurorie, edhe pse neni 160, pika 2 e ligjit për statusin e magjistratit, ia ndalojnë shprehimisht këtë. Vetë ajo ishte betuar përpara Komisionit të Ligjeve, ditën kur paraqiti kandidaturën, se nuk do të bënte shkarkime dhe emërime, sepse ato ishin në kundërshtim me ligjin”, vijoi Alibeaj.

PD thotë se Marku e ktheu Prokurorinë e Përgjithshme nën varësinë e Ministrisë së Brendshme dhe shkeljet e gjetura nuk janë hetuar nga organet e vettingut, të urdhëruara nga Edi Rama.

“Komisionet e vettingut kanë për detyrë të verifikojnë mënyrën e ushtrimit të funksioneve si Prokuror i Përgjithshëm nga Arta Marku, sepse këtë e detyron neni 42, pika 1, e ligjit për vettingun. Nuk e kanë bërë këtë, sepse nuk ia lejon Edi Rama.Duke vepruar si prokurore politike, Arta Marku ka shkelur ligjin duke shndërruar organin e prokurorisë nën varësinë e Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme. Sot hetimet kanë për zot jo prokurorin, por Ministrin e Brendshëm. Edhe këtë paligjshmëri organet e vettingut kishin për detyrë ta verifikonin, por qartësisht mbyllën sytë për të mbrojtur emërimin politik të Edi Ramës në krye të Prokurorisë”, thuhet në deklaratën e Alibeajt.

Deputeti demokrat flet me bindje se nëse procesi i Vettingut nuk do të ishte i kontrolluar politikisht, Arta Marku sot do të ishte e shkarkuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë