Ne rrjet

Arsyeja se përse Putinit nuk i dalin “të palarat”

Ndryshe nga homologët e tij perëndimore, Presidenti rus, Vladimir Putin është i “shkollës së vjetër”. Shefi i Kremlinit nuk është i pranishëm në asnjë rrjet social, madje nuk përdor as celular, jo më telefon inteligjent.

Putin rrallë shfaqet “online” dhe edhe në ato pak raste që del e bën përmes kanaleve të komunikimit zyrtar rus që kanë filtra të përforcuara sigurie. Kjo “drojë” ndaj interneti ndër vite kishte bërë që rusët të vinin në pikëpyetje aftësinë e Presidentit të tyre për të përdorur internetin.

Megjithatë, Putin e ka pranuar në 2015 që e përdorte internetin, por refuzonte të mbantë telefon, aq më tepër një telefon inteligjent të lidhur me të gjithë botën. “Nëse unë do të mbaja telefon me vete ai nuk do të pushonte asnjëherë së rëni”, deklaronte ai.

Kjo duket se është “alibia”, pasi arsyeja e vërtetë që shumë besojnë se e mban Putinin larg internetit është shmangia e mundësisë së përgjimit. Si ish-agjent i dalluar i famëkeqes KGB, Putin është në dijeni se në një botë të ndërlidhur, mundësitë që t’i ekspozohen materiale të ndjeshme, apo që të përgjohet.

Që Putin është i vështirë për t’u përgjuar, konfirmohet edhe nga një kabllogram i CIA-s i publikuar nga Ëikileaks në 2017, ku nënkuptohej se për të përgjuar Presidentin rus në distanca të largëta është një mision thuajse i pamundur, ndryshe nga ç’u provua më vonë për Kancelaren gjermane, Angela Merkel, të cilës iu përgjua telefoni personal.

Se çfarë mendimi ka për telefonat inteligjentë, Putin e ka bërë të ditur përmes zëdhënësit të tij, Dmitry Peskov.

“Të përdorësh një telefon inteligjent është si të pranosh transparencën totale. Ku e merr telefonin pranon se do të bësh gjithçka publike”, deklaroi Peskov në 2018.

Për të komunikuar Putin përdor ende telefonin “e verdhë”, që përcjell zërin përmes kanaleve shumëfish të koduara, që mund të zbërdhehen vetëm përmes një çelësi kriptografik.

Më Shumë