Jete & Stil

Arroganca është ngjitëse

Në fund të viteve 1980, psikologu James Reason donte të kuptonte arsyet pse njerëzit përfshihen në aksidente rrugore.

Ai doli në rrugë dhe parkingje makinash dhe kërkoi nga një total prej 520 shoferësh të vlerësonin numrin e herëve që ata kishin kryer shkelje. Për shembull, a harronin ata shpesh të kontrollonin pasqyrat e pasme?

Përveç shkeljeve, atyre iu kërkua edhe të vlerësonin aftësitë e tyre në timon duke krahasuar veten me shoferët e tyre, nëse ishin më mirë apo më keq.

Reason tha që vetëm pesë nga 520 shoferët e konsideronin veten shoferë jo të mirë. Pjesa tjetër, edhe shoferët që bënin pafund gabime, e konsideronin veten të paktën aq të mirë sa të tjerët dhe shumë menduan se ishin shumë më të mirë. Ishte, në thelb, një mashtrim që i bëri ata plotësisht të verbër ndaj dështimeve të tyre.

Tre dekada më vonë, psikologët kanë treguar se njerëzit janë në të njëjtin nivel vetëbesimi.

Ne priremi të mendojmë se jemi më inteligjentë, krijues, atletikë, të besueshëm, të vëmendshëm, të ndershëm dhe miqësorë se shumica e njerëzve, një fenomen që shpesh njihet si efekti ‘mbi mesataren’.

"Provat janë jashtëzakonisht të forta", thotë Ethan Zell, profesor i psikologjisë në Universitetin e Karolinës së Veriut, i cili kohët e fundit kreu një meta-analizë të studimeve të deritanishme.

Ai thotë se nëse u japim njerëzve një pyetësor për të vlerësuar veten në krahasim me grupin e shkollës, punës apo dhe shoqërisë, ato do të thonë se janë më të mirë.
Pasojat e këtij vetëbesimi mund të jenë serioze.

Reason thotë se besimi që ne kemi tek aftësitë tona mund të bëjnë që të kemi performancë negative në punë.

“Në mjekësi mund të çojë në gabim fatal diagnostikues, një avokat mund të bëje gabime apo dhe në një biznes ku arroganca menaxheriale bën që të ketë shkelje në punë.

Daniel Kahneman, shkencëtari që ka fituar çmimin Nobel thotë se vetëbesimi shpesh njihet si “nëna e të gjitha paragjykimeve”.

“Nëse do të ndryshoja diçka në lidhje me psikologjinë njerëzore, do të eliminoja kompleksin tonë të epërsisë”, tha Kahneman.

Gjithashtu, një hulumtim i ri interesant nga Joey Cheng, pedagoge psikologjie në Universitetin e Nju Jorkut tregon se besimi i tepërt mund të jetë ngjitës.

"Nëse keni qenë afër me një person që ka shumë vetëbesim, ka shumë të ngjarë të filloni dhe ju të mbivlerësoni pozicionin tuaj”, tha Joey.

Joey tha se studime të ndryshme e kanë bërë atë të besojë se grupe të caktuara njerëzish mund të inkurajonin zhvillimin e një egoje të fryrë tek të tjerët.

Eksperimenti i saj i parë kishte dy faza. Individualisht, pjesëmarrësve iu kërkua të shikonin disa foto njerëzish dhe të përpiqeshin të hamendësonin personalitete të ndryshme bazuar në shprehit e tyre. Për të vlerësuar besimin e tyre në vete, pjesëmarrësve iu kërkua të vlerësonin perceptimet e tyre, krahasuar me pjesën tjetër të grupit. Më pas pjesëmarrësit duhej të bënin të njëjtën detyrë në çifte, pas së cilës atyre u kërkohej përsëri të vlerësonin aftësitë e tyre, duke e lejuar atë të shihte nëse arroganca e një personi do të lidhej me një tjetër.

Joey zbuloi se pjesëmarrësit që dëgjonin në fillim mendimin e partnerit ishin më të prirur të rrisnin vlerësimin që kishin në vete.
Rezultatet e eksperimentit të dytë ishin edhe më të habitshme. Edhe një herë, ata duhej të punonin në një detyrë të thjeshtë, e cila përfshinte supozimin e peshës së dikujt nga fotoja e tij. Kësaj here, pjesëmarrësit nuk punuan në çifte reale por iu prezantuan disa shembuj të përgjigjeve të një pjesëmarrësi tjetër. Në realitet, përgjigjet ishin të rreme. Joey doli në përfundimin se pjesëmarrësit morën të mirëqenë përgjigjet që “partneri” kishte dhënë dhe në këtë mënyrë ato than me plot besim përgjigjet e tyre, të njëjta me partnerin.

Në eksperimente të mëtejshme, Joey konfirmoi se vetëbesimi mund të transmetohet tek një person tjetër dhe kjo ndikon në jetën e gjithsecilit.

Imazh ilustrues

Zell thotë se hulumtime të tilla janë interesante dhe të kryera mirë dhe na ndihmojnë të kuptojmë origjinën e vetëbesimit të tepërt dhe arsyet pse njerëzit ndryshojnë.

"Të shohësh të tjerët teksa kanë vetëbesim të tepruar, rrjedhimisht kjo i bën ato më të preferuar dhe një shembull për tu ndjekur.” tha Zell

"Vetëm duke u ekspozuar ndaj dikujt, ka më shumë të ngjarë të fitoni mënyrat e tyre të sjelljes dhe mënyrat e tyre të menduarit," thotë Joey.

 Joey merr një shembull të thjeshtë.

Një njeri sapo ka filluar punë në bankë dhe është paksa i ndrojtur. Me kalimin e kohës ai fillon të shohë veprimet dhe mënyrën si flasin kolegët dhe ngadalë bëhet një klon i atij ambienti.
Joey thotë se çdo njeri duhet të tregojë kujdes në ato që shpreh pasi gjithmonë është dikush që do të jetë më i mirë dhe është gati të bëhet si dikush që mendon se është më i mirë.

“Një vetëbesim i tillë çon në probleme të mëdha si për personin në fjalë, si për të gjithë ato që e rrethojnë”, tha Joey

Kurdoherë që mburreni pa arsye për aftësitë tuaja, ju mund të dërgoni valë të vetëbesimit në të gjithë rrethin tuaj shoqëror, duke mbështetur në mënyrë delikate mashtrimin që James Reason kishte folur vite më parë.

Burimi: BBC. Përktheu: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë