Ka ndodhur

Arrestohet prokurori i Sarandës, SPAK i “bastis” zyrën

Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit (SPAK) ka arrestuar sot prokurorin e Sarandës, Sali Hasa, pasi akuzohet për korrupsion në sistemin e drejtësisë.

Pas arrestimit të tij, me urdhër të SPAK është kryer edhe kontrolli i zyrës së prokurorit. SPAK ka sekuestruar kompjuterin e prokurorit, ndërkohë që ky i fundit është shoqëruar nga policia drejt Tiranës, ku do të merret në pyetje.

Në pranga ka rënë edhe oficeri i policise gjyqësore, Napoleon Hodaj, si dhe zyrtari i klubit “Përmeti”, Bledar Hajredini.

"Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.40 datë 17.06.2021 ka caktuar masat e sigurimit arrest në burg për shtetasit:
Qerim Ruçi, arbitër i ndeshjeve të futbollit, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Paracaktimi i rezultateve në garat sportive”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 197/a/2 dhe 25 të Kodit Penal.

-Bledar Hajredini, zyrtar i klubit sportiv SHS “Përmeti”, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Paracaktimi i rezultateve në garat sportive”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 197/a/2 dhe 25 të Kodit Penal.

-Julian Zera, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245/1/1 – 25 i Kodit Penal.

-Emiljano Mirani, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245/1 – 25 i Kodit Penal.

Gjithashtu me vendimin nr.40 datë 17.06.2021 Gjykata ka caktuar masën e sigurimit “arrest në shtëpi”, për të hetuarën Elsona Papa, e dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245/1/1 – 25 i Kodit Penal.

Kurse ndaj shtetasit Hysen Korenica (ish ekspert mjeko – ligjor), Gjykata ka caktuar masën e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Ekspertim i rremë”, parashikuar nga neni 309 i Kodit Penal", thuhet më tej në njoftimin e SPAK.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë