Lajme

Arrestohet në Kamëz transportuesi i emigrantëve të paligjshëm

Policia e Kamzës ka goditur një tjetër rast të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit përkundrejt fitimit. Nga operacioni policor “Kamza”, mësohet se është vënë në pranga një 39-vjeçar, i cili transportonte në drejtim të Shkodrës për në Mal të Zi me destinacion final një nga vendet e BE-së, 6 shtetas nga Iraku dhe Siria.
Shtetasi i arrestuar është I. Q., 39 vjeç, banues në Bathore-Kamëz.
Siç njofton policia, ky shtetas u kap në rrugën “Demokracia” në Kamëz, duke transportuar në drejtim të Shkodrës 6 emigrantë të paligjshëm me qëllim dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit.
Emigrantët e paligjshëm, tre nga Siria dhe tre nga Iraku iu dorëzuan në Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore për veprën penale të “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë