Rend dhe Ligj

Arrestohet “i infiltruari” i policisë që u rrah nga protestuesit

Një 29-vjeçar nga Elbasani, i cili u bë protagonisti i protestës së sotme të opozitës, pasi u rrah me grushte dhe shkelma nga mbështetësit e PD dhe LSI, është arrestuar nga policia si dhunues i forcave të rendit.

Sipas policisë, ka mjaftuar një video e publikuar nga ish-kryeministri Sali Berisha për të identifikuar djalin nga Elbasani që ushtronte dhunë ndaj policisë para ndërtesës së Parlamentit.

Ai është Olsi Albarjami, i identifikuar nga protestuesit e opozitës si polic i infiltruar në protest, tashmë rezulton i arrestuar.

“Ky shtetas gjatë protestës ka kryer veprime të kundraligjshme ndaj punonjësve të Policisë në detyrë, veprime të dokumentuara me pamje filmike. Më pas ai është goditur nga protestues të tjerë me pretekstin se ishte punonjës policie dhe ishte i infiltruar në protestë. Veprimet e këtij shtetasi i ka publikuar në rrjetin social Facebook shtetasi Sali Berisha duke e etiketuar si punonjës policie”, sqaron policia.

Ndërkohë, sa i përket protestës janë proceduar në gjendje të lirë edhe 8 tubues të tjerë, mes tyre edhe Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi.

Ata akuzohen për veprat penale të “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës” dhe  “Prishja e qetësisë publike”

Policia thotë gjithashtu se janë shpallur në kërkim dhe po punohet për ndalimin e tyre edhe për 4 shtetas  të tjerë për veprat penale të “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës”,  “Prishja e qetësisë publike” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë