Ka ndodhur

Arrestohen 3 infermiere dhe një sanitare tjetër në Spitalin “Shefqet Ndroqi”

Prokuroria e Tiranës ka urdhëruar ndalimin e 4 punonjësve të tjerë të spitalit Covid “Shefqet Ndroqi”, në kuadër të hetimeve për rastin e sanitares Tire Alldervishi, e cila mori para nga familjarët e një pacienteje me koronavirus që më pas ndërroi jetë.

Kështu, në bazë të kallëzimit të shtetases Eltjana Sinanaj dhe hetimeve të thelluara për këtë çështje, u ndaluan dhe 4 punonjës të tjerë të këtij spitali, 3 infermierë dhe 1 sanitare, që kishin krijuar një skemë me qëllim që të përfitonin në kurriz të pacientëve të sëmurë me koronavirus.

“Prokuroria pranë gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë vijoi të kryejë një hetim të plotë dhe të thelluar për të qartësuar nëse ndodheshim para një rasti sporadik apo para një skeme të mirëfillte përfitimi nga personeli mjekësor apo ndihmës në kurriz të të sëmurëve me sëmundjen COVID 19 duke mos hezituar të vërë ara përgjegjësisë penale këdo që do të rezultonte i implikuar. Në vijim të veprimtarisë hetimore u kryen sekuestrime, këqyrje, pyetje e personave etj dhe nga gjithë veprimtaria hetimore deri në stadin aktual, shihet qartë që persona me detyre infermiere apo sanitare në Spitalin ‘Shefqet Ndroqi’, kanë krijuar një skeme të mirëfilltë me qëllimin e vetëm kriminal që të  përfitojnë sa më shumë në kurriz të pacientëve të sëmurë me sëmundjen Covid 19 dhe familjarëve të tyre”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.  

Me urdhër të Prokurorit, nga Policia gjyqësore u krye ndalimi i shtetaseve: Mira Bushi, Sheqerije Koci, Sidorela Çela, me detyrë infermiere, dhe sanitares Rukije Hoxhaj, të cilat akuzohen për veprat penale të mashtrimit dhe shpërdorimit të detyrës.

Sipas prokurorisë, këta persona në mungesë të plotë të përgjegjësisë që i ngarkon detyra, në mungesë të plotë të solidaritetit, në shkelje totale të ligjit dhe të moralit shoqëror kanë treguar sesi mund të njolloset këmisha e bardhë, e cila duhet të përfaqësojë gjithë solidaritetin dhe përkushtimin ndaj pacientëve dhe jo ngritjen në sistem te abuzimit me detyrën dhe përfitimit në kurriz të pacientëve dhe të familjarëve të tyre.

Rasti "Tire"

Tire Alldervishi, sanitarja që u hoq si infermiere dhe i mori vajzës së një pacienteje me COVID 8 mln lekë të vjetra u arrestua menjëherë nga uniformat blu. Vajza e pacientes me COVID që prej 28 ditësh ishte shtruar te “Shefqet Ndroqi” ka kallëzuar në polici se Tire Alldervishi i ka marrë çdo ditë rreth 5.000-6.000 lekë duke i “premtuar” se do të kujdesej për nënën e saj, por rezultoi se kundërta.

Alldervishi nuk ishte në pavionin ku ishte pacientja dhe për të shkuar në atë pavion hiqej sikur ishte tezja e saj. 

Në vendimin e lënies në burg të Alldervishit, gjyqtarja Rexhina Memlika dha një mesazh shumë të fortë. Ajo u shpreh e pakënaqur nga klasifikimi i veprës penale nga prokuroria duke sugjeruar ndryshimin e kualifikimit të akuzës në 'mashtrim me pasoja të rënda'. Memlika tha se publiku është i tronditur dhe është nevoja për hetim të thelluar dhe se masa e marrë për të akuzuarën është masa më evidente që të parandalohet në çdo lloj mënyrë çdo lloj veprimi që në këtë lloj situate të krijohet kjo formë abuzimi. Siç duket edhe ky mesazh i fortë ka ndikuar në hetimet që janë bërë.

Kjo ngjarje e rëndë shkaktoi reagime të forta në opinionin publik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë