Rend dhe Ligj

Arrestimi i gjyqtares Margjeka, telefonata e të burgosurit zbuloi korrupsionin

Detaje të reja kanë dalë nga skena e korrupsionit të evidentuar dhe dokumentuar nga SPAK ku u përfshinë gjyqtarë, avokatë dhe familjarë të personave të dënuar.

Ishte emri i gjyqtares Mimoza Margjeka që u soll në vëmendje duke iu komunikuar masa “arrest në shtëpi” pas akuzës për “Korrupsioni pasiv i gjyqtarit, prokurorit apo personave të tjerë të njerëzve të drejtësisë”.

Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme ka nisur hetimin për korrupsion ndaj shtetasve Nejton Bali, Klaudjo Zhilla dhe Skënder Demiraj. Të gjithë akuzohen për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit apo personave të tjerë në sistemin e drejtësisë”, në bashkëpunim, ndërsa gjyqtarja Mimoza Margjeka dhe bashkëshorti i saj, Arben Cara Mimoza akuzohen për “Korrupsioni pasiv i gjyqtarit, prokurorit apo personave të tjerë të njerëzve të drejtësisë”.

“Të arrestuarit i kanë dhënë shtetases Mimoza Margjeka, me detyrë gjyqtare, aktualisht e komanduar në Gjykatën e Apelit Korçë, nëpërmjet bashkëshortit të saj, shtetasit Arben Cara, një shumë prej 6.000 eurosh, si përfitim të paligjshëm. Kjo shumë parash, është dhënë me qëllim ndryshimin e masës së sigurimit, nga arrest në burg’ në ‘garanci pasurore’, ndaj shtetasit Orion Bali, i arrestuar për trafik klandestinësh”, u tha dje në njoftimin e SPAK.  

Por, çështja e korrupsionit u zbulua nga përgjimet për shkak të bisedave të të burgosurit Orion Bali me të vëllain dhe me të ëmën.

Të implikuarit në këtë skemë korrupsioni kanë folur me detaje deri ditën kur avokati Skënder Demiraj thotë që puna u mbarua pas dorëzimit të parave.

I dënuari Orion Bali ka pasur avokat Skënder Demiraj, i cili ka siguruar familjarët e të dënuarit se mund të ndërhyjë tek gjyqtarët nëse i jep një shumë prej 6 000 euro. Nejton Bali ka siguruar paratë dhe ia ka dhënë Demirajt.

Ndërkohë, Klaudio Zhilla ka ndihmuar në rolin e sekserit Demirajn, pasi kishte thënë se ka njohje me gjyqtarët e çështjes Olsi Xhavella dhe Mimoza Margjeka.  Shtetasi Klaudjo Zhilla ka takuar shtetasin Arben Carën, bashkëshorti i Mimoza Margjekës dhe kanë diskutuar për të pasur një takim me Skënder Demiraj.

Demiraj i ka dhënë Arben Carës shumën prej 6000 eurosh me qëllim lirimin e Orion Balit, që ishte në burg. Pas këtij “ndërmjetësimi” me para, ka ndryshuar masa e sigurisë për Orion Balin, nga “arrest me burg” në “garanci pasurore”.

Por ajo që zbulon tërë skemën e korrupsionit janë përgjimet ku del në skenë edhe nëna e Orionit që flet me djalin tjetër, Nelti Bali e ku ky i fundit i thotë se ka dhënë 6000 euro që Orion Bali të lërë qelinë. Afërdita Bali shqetësohet për shumën e kërkuar, duke përmendur emra personash ku mund të marrin paratë.

Nelti Bali në bisedat që ka zhvilluar me gjyqtarin Skënder Demiraj i thotë që “duhet ta mbarojë sa më shpejt këtë punë”.

Ndërsa në bisedat me mamanë e tij, Afërditën, i thotë: “Burri i huaj do 6 mijë euro sepse ka 3 gjyqtarë dhe nga 2 secili për të mos llogaritur edhe Skënderin”.

Nga zbardhja e këtyre përgjimeve, SPAK ka vënë masa sigurie ndaj shtetasve në fjalë: Nejton Bali, Klaudjo Zhilla, Skënder Demiraj, Arben Cara dhe Mimoza Margjeka.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë