Drejtësia

Ish-gjyqtarja Mimoza Margjeka dënohet për korrupsion, por i konvertohet me shërbim prove

Gazeta Si - Me 4 vite e 6 muaj burg  është dënuar ish gjyqtarja e Korçës Mimoza Margjeka për akuzën e korrupsionit. Por dënimi asaj i është konvertuar në 3 vite shërbim prove, duke i shpëtuar kështu qëndrimit në qeli.

Margjeka akuzohet se ka marrë 6 mijë euro ryshfet për të liruar një person të arrestuar për transport emigrantësh.

Po ashtu, Margjeka është dënuar edhe që për 5 vite të mos ushtrojë asnjë funksion publik. Ndërsa bashkëshorti i ish-gjykatëses së Korçës, Arben Cara, u dënua me 4 vite burg. Sipas akuzës, ky i fundit ishte personi që kishte marrë paratë për t’ia dhënë gruas së tij gjykatëse.

Ndërsa bashkëpunëtori Klaudio Zhilla u dënua me 3 vite burg, Skënder Demiraj me 3 vite shërbim prove dhe Nejton Bali me 2.4 vite shërbim prove.

"Unë u dënova, unë jam e kënaqur. Këta që më dënuan janë të mërzitur. Po të ndodhte e kundërta do çuditesha, nuk e kanë çuar ata deri në fund? Dështuan ata? Më të fortit? Që kanë krimin, mafian? Nuk ju besoj më institucioneve. Unë e di që këta njerëz sot kanë qenë të impresionuar dhe të porositur. Më vjen keq për ta. Për mua familja ime do e gjejë një zgjidhje. Nuk u përmbys bota. Më dënuan mua, s’është fundi i botës. Shyqyr që nuk është koha e Enverit që i varnin, se gjynah për fëmijët. Për të tjerat, do ia dalim, do ia dalim”, tha Margjeka pas vendimit të GJKKO.

Ish-gjyqtarja Margjeka u arrestua në shtator 2020, pasi akuzohet se mori 6 mijë euro për të caktuar garanci pasurore për Orion Balin, i cili ishte në masën e sigurisë arrest me burg për veprën penale “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Kjo shumë parash, është dhënë me qëllim ndryshimin e masës së sigurimit nga ajo e “arrestit në burg”, në atë të “garancisë pasurore”, ndaj shtetasit Orion Bali, i arrestuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprën penale të “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë