Biznes

Konfindustria: Akuzat ndaj biznesit, politike. Prokuroria e paaftë

Konfindustria duke e akuzuar organin e akuzës si të paaftë në lidhje me arrestimin e biznesmenëve disa ditë më parë, kërkon prej intitucioneve të drejtësisë dhe Ekzekutivit të jenë të kujdesshëm dhe profesionalë në ngritjen e akuzave ndaj bizneseve dhe në mediatizimin e tyre të shpejtuar.

Duke mbështetur reformat antiinformalitet, Konfindustria gjykon se “akuzat e ngritura duhet të jenë tërësisht të bazuara, të pandikuara nga politika dhe konkurenca në treg e bizneseve, korrupsioni, shfaqjet mediatike për përfitime personale përballë procesit të vettingut.”

Konfindustria nënvizon se goditja e bizneseve abuzuese me ligjin, sidomos në rastet e grabitjeve të pastra të buxhetit të shtetit me skema mashtruese të TVSH, është e domosdoshme për të mbrojtur konkurencën si kusht bazë i ekonomisë së tregut, besimin te sistemi drejtësisë dhe duhet të shkojë deri në fund.

Njëkohësisht, duhet kuptuar, sipas saj, se skema të tilla mashtruese në vlera kaq të larta financiare nuk mund të krijohen dhe zbatohen pa pjesëmarrjen dhe korrupsionin e përfaqësuesve të gjithë niveleve të agjencive shtetërore të përgjegjësisë dhe problematikave të qarta në legjislacionin në fuqi.

Sipas shoqatës së biznesit, rastet e përsëritura të ndalimeve të bujshme nga organi i Prokurorisë të drejtuesve të bizneseve, përfshi dhe rastet e fundit të skemave fiktive të TVSH-së, shoqëruar me paaftësinë e akuzës për ti mbrojtur në gjykatë, prodhojnë pasoja mjaft të dëmshme ndaj konkurencës së lirë në treg në afatgjatë.

Për Konfindustrinë, rasti i ndalimeve të bujshme të muajit janar 2019 me akuzën për përvetësim në vlerën e 18 milion euro me skema fiktive të TVSH-së dhe mungesa e plotë në vazhdim e të dhënave për opinionin publik nuk duhet të përsëritet.

Askush nuk është në dijeni sot, thotë shoqata e biznesit, se çfarë është bërë me rastin ë fjalë, numrin e dosjet e mbyllura ose në vazhdim, procesin dhe cfarë masash janë marrë nga institucioni i akuzës për dështimin e mbrojtjes së akuzës në gjykatë.

Sipas saj, dëmi moral dhe financiar shkaktuar qytetarëve dhe bizneseve nga publikimi në media e emrave, në rastin kur akuzat e ngritura nga prokuroria rrëzohen me vendim gjykate, është mjaft i lartë. Në shtetet demokratike dëmshpërblimet financiare të shtetit në raste të tilla janë mjaft të larta.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë