Lajme

“Shfryhen” akuzat për mashtrimin me TVSH, gjykata liron pjesën më të madhe të të arrestuarve

Aksioni i bujshëm i Policisë së Shtetit, që çoi në pranga 16 persona të dyshuar si organizatorë dhe pjesëmarrës në një skemë mashtrimi me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar është shfryrë nga Gjykata e Tiranës.

Gjykata vendosi masën e sigurisë arrest shtëpie për pjesën më të madhe të të ndaluarve, ndërkohë që për gjashtë të tjerë i la 20 ditë kohë prokurorisë që të depozitojë prova shtesë për të mos i mbajtur ata në qeli.

Ndaj gjashtë prej të arrestuarve gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest me burg për 20 ditë”. Ata janë Vasil Korita, Besnik Pelivani, Vangjush Mbirçe, Mhill Ndreca, Ardjan Bejko burg, Astrit Lala dhe Fatmir Firi.

Prokuroria kërkoi për të gjithë të akuzuarit arrest me burg pa afat për shkak se siç tha organi i akuzës, përfaqësuar në këtë proces nga vetë drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj, dosja ishte ende nën hetim për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë skemë.

Lirimi i të pandehurve, tha prokuroria, rrezikonte që të dëmtonte këtë hetim dhe dekonspironte provat e grumbulluara nga organi i akuzës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë