Lajme

Arrestimet në Elbasan, Basha: Reprezalje politike, prokurorët mos u binden urdhrave

Pas arrestimeve të bëra dje nga policia të drejtuesve dhe mbështetësve të Partisë Demokratike në Elbasan, Librazhd dhe Përrenjas, kryedemokrati Basha ka hedhur akuza mbi kreun e qeverisë, duke i cilësuar si arrestime politike me urdhër të tij.
“Dje gjatë mbrëmjes dhe vonë gjatë natës policia politike e Edi Ramës ka ndaluar dhjetëra anëtarë dhe mbështetës së Partisë Demokratike në Elbasan dhe Librazhd dhe ka arrestuar:
− dy drejtuesit e Partisë Demokratike të Librazhdit, Kryetarin, zotin Bujar Vreto dhe Sekretarin zotin Erlind Gurra;
− dy drejtuesit e PD-së Përrenjas, Kryetarin zotin Arjan Karriqi dhe Sekretarin Leonard Ozuni;
− ish-deputetin dhe ish-kryetarin e PD-së Elbasan, Aurel Bylykbashi;
− si dhe dy mbështetës së Partisë Demokratike Dashamir Boja nga Gostima dhe Bujar Kllojku nga Librazhdi.
Këto veprime janë reprezalje të hapura politike ndaj kundërshtarëve politikë dhe qytetarëve që protestojnë kundër regjimit të Edi Ramës.
Ato vijnë mbas ndalimit të rreth 500 anëtarëve dhe mbështetësve të Partisë Demokratike gjatë pesë muajve të fundit. Ndërkohë mbi 50 mbështetës dhe anëtarë të Partisë Demokratike mbahen në arrest në burgje”, u shpreh Basha.
Në fjalën e tij, Basha duke iu referuar edhe urdhër-paraqitjes nga Prokuroria për çështjen e lobimit në SHBA, ai u bëri thirrje policëve dhe prokurorëve të mos u binden urdhrave të Ramës.
“Në këtë aventurë të rrezikshme, Edi Rama ndihmohet nga dy vegla të paskrupullta, Sandër Lleshi dhe Arta Marku, të cilët e kanë kthyer policinë dhe prokurorinë në instrumente të represionit politik në shërbim të pushtetit personal dhe të korruptuar të Edi Ramës.
U bëj thirrje policëve dhe prokurorëve që e ndjejnë veten njerëz të ligjit dhe të rendit të mos u binden urdhrave politikë dhe të paligjshëm të autokratit të korruptuar dhe të inkriminuar Edi Rama dhe të veglave të tij”, u shpreh Basha.
Sipas Bashës, kryeministrit Edi Rama po i vjen fundi dhe u zotua se PD nuk do të bëjë asnjë hap pas në kauzën e saj për një Shqipëri europiane.
“Rama drejt rrugës së greminës, dhe po mundohet të marrë me vete edhe gjithë Shqipërinë. Partia Demokratike nuk do të bëjë asnjë hap pas. Asgjë dhe askush nuk e ndal betejën tonë për Shqipërinë si gjithë Europa ”, përfundoi lideri demokrat.

Ndërkohë, në një njoftim për mediat, Partia Demokratike bën me dije se do të zhvillohet një mbledhje të jashtëzakonshme e Kryesisë së PDSH, Grupit Parlamentar, Kolegjit të Kryetareve dhe Kryetarëve të Bashkisë, me rend dite: Caktimi i detajeve të vijimit të aksionit politik, si dhe reagimi i PD pas arrestimeve politike të drejtuesve të PD në Qarkun Elbasan.

Menjëherë ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, pas akuzave të kreut të PD-së Lulzim Basha, i cili e akuzonte se ishte një vegël e kryeministrit Rama që përdorej për të arrestuar protestuesit.
Me anë të një postimi në “Twitter”, LLeshaj shprehet se kreu i PD-së Lulzim Basha është përgjegjës për çdo individ që aktivizon kundër ligjit dhe lirive politike në vend.
Më tej, ministri Lleshaj ka thënë se askush nuk do të tolerohet kur shkel ligjin.
“Lulzim Basha është përgjegjës për çdo individ që aktivizon kundër ligjit dhe lirive politike në vend!
Pengimi i subjekteve zgjedhore dhe përdorimi i lëndëve plasëse, kundër atyre dhe forcave të rendit janë vepra penale. Askush nuk do të tolerohet. Kush u përgjigjet thirrjeve për paligjshmëri, do të përballet me ligjin!”, shkruan ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.

https://twitter.com/SanderLleshaj/status/1139468077379268608

Më herët, policia ka arrestuar 7 shtetas për protestën e paligjshme të organizuar mbasditen e datës 13 qershorit në hyrje të qytetit të Librazhdit.
Policia e Librazhdit bazuar në pamjet filmike, dhe raportet e shërbimit, ka bërë arrestimin në flagrancë të 7 personave për veprat penale të “Organizimit, pjesëmarrjes në grumbullime, manifestime të paligjshme”, dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit’’ “Pengim i subjekteve zgjedhore”, konkretisht:

Bujar Vreto, 48 vjeç, (Kryetari i Degës së PD-së Librazhd);

Aurel Bylykbashi, 53 vjeç, nga, Elbasani (ish deputet i PD);

Arjan Karriqi, 43 vjeç, nga Përrenjasi;

Erlind Gurra, 32 vjeç, nga Librazhdi (sekretari i PD-së, dega Librazhd);

Dashamir Boja, 47 vjeç, nga Shtërmeni, Cërrik;

Leonard Ozuni, 31 vjeç, nga Piskashi;

Bujar Kllojku, 54 vjeç, nga Librazhdi.

Po kështu filloi procedimi penal në gjendje të lirë, për të njëjtat vepra penale edhe për 16 shtetas të tjerë.
Arrestimi dhe procedimi i këtyre personave u bë pasi dje rreth orës 18:00 këta shtetas janë grumbulluar në rrugën nacionale në hyrje të qytetit të Librazhdit tek kryqëzimi i Përrenjasit dhe në vijim kanë tentuar që të bllokojnë rrugën nacionale Elbasan - Librazhd, në hyrje të qytetit të Librazhdit, duke penguar eskortën e Kryeministrit dhe kanë goditur eskortën me sende të forta e lëndë plasëse piroteknike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë