“T’ju jap një këshillë; gjatë këtyre ditëve dhe javëve qëndroni afër me Ardin dhe Gentin se do të ketë lajme interesante, se kur bashkëpunohet ka edhe gjëra të mira”. Me këto fjalë, të enjten ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj paralajmëronte goditje të mëdha të kriminalitetit në vend.
Xhafaj e bëri këtë deklaratë pas takimit me kreun e policisë federale gjermane, që ndodhej në Tiranë për një vizitë zyrtare. Fundjava nuk e gjeti në Shqipëri kryepolicin e Gjermanisë, por gjeti forcat e policisë së shtetit shqiptar në orë të ngjeshura me disa operacione, nga veriu e deri në jug.
“Se nuk dua që të vijë ambasadorja e re amerikane dhe të thotë që Klement Balili nuk është kapur ende”, deklaronte Kryeministri Edi Rama në takimin e fundit me drejtuesit kryesorë të Policisë së Shtetit.
E pas kësaj deklarate të Kryeministrit dhe paralajmërimit të Xhafajt, policia ka nisur përpjekjen e radhës këtëfundjave për të prangosur “Eskobarin”. Operacioniështë ende në zhvillim e sipër. Forca RENEA dhe FNSH kanë zbarkuar në fshatin Stjar të Sarandës, ku dyshohet se strehohet i ashtuquajturi “Eskobari i Ballkanit”, i shpallur në kërkim fillimisht nga autoritetet greke që në maj të 2016 dhe disa muaj më vonë edhe nga Shqipëria.
Një tjetër operacion ishte ai i goditjes së një grupi kriminal që vepron në zonën e Shijakut dhe Durrësit. Bëhet fjalë për persona që dyshohet se drejtojnë një rrjet trafiku heroine në drejtim të Gjermanisë, mes të cilëve figuron edhe emri i Lulzim Berishës.
Në pranga përfunduan vëllezërit Astrit Avdyli, që është koka e bandës, Flamur Avdyli dhe Shkëlqim Avdyli, ndërsa u prangos kushëriri i parë, Jasim Avdyli së bashku me H. Hoxha, të dënuar në Turqi për trafik heroine.
Familja Avdyli është pronare e dhjetëra bizneseve në Shijak, Durrës dhe disa qytete të tjera të vendit. Report TV thotë se ka dalë një urdhër-arresti edhe për Lul Berishën, por në momentin që Policia ka shkuar në banesën e tij për ta arrestuar, nuk e ka gjetur atje.
Operacioni tjetër i bujshëm u zhvillua në Has, ku policia sekuestroi një laborator të prodhimit të heroinës. Aksioni i ngjashëm me atë të zhvilluar në Elbasan në 2015 bllokoi laboratorin e dytë tëprodhimit të drogërave të forta në vendin tonë. Në pranga përfunduan disa persona, mes të cilëve edhe një biznesmen turk në fushën e tekstileve.
Këtë të dielë, lista e të ndaluarve shkoi në gjashtë persona, pasi një tjetër shtetas turk u prangos. Hetimet vazhdojnë ende dhe si prokuroria, ashtu edhe policia besojnë se në këtë aktiviteti shtrihet një rrjet më i gjerë personash.
Ndërkohë, në aksione të tjera u prangosën dy Arbenë. Bëhet fjalë për dy ish-deputetë të Partisë Socialiste, Arben Çuko, që deri para pak kohësh mbante edhe postin e Drejtorit të Përgjithshtëm të Burgjeve dhe Arben Ndokën, ish-deputeti socialist i Qarkut të Lezhës. I pari akuzohet për korrupsion duke u dhënë leje dhe favorizuar të burgosurit në këmbim të parave ndërsa i dyti për “Falsifikimi i dokumenteve”, Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, “Shpërdorimi i tokës”, në kuadër të një grupi kriminal, të përfshirë në tjetërsim tokash.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.