Rend dhe Ligj

Arrestime në Ministrinë e Drejtësisë, verifikohet Manjani dhe Vasili

Prokuroria e Tiranës ka hapur një hetim mbi disa tendera të organizuara nga Ministria e Drejtësisë në periudhën 2016-2017, kur ky dikaster drejtohej nga Lëvizja Socialiste për Integrim. 12 persona dyshohen për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tender.

Nga prokuroria mësohet se për disa ish-funksionarë të lartë të kësaj ministre është dhënë masa e sigurisë me arrest, ndërkohë që në lupën e verifikimit janë përfshirë edhe Ylli Manjani dhe Petrit Vasili. I pari u largua nga qeveria pas përplasjeve të forta me Kryeministrin Rama dhe u pasua në këtë post pikërisht nga Vasili.

Prokuroria dyshon se veprat penale janë konsumuar në të paktën pesë raste, përkatësisht në tenderin për mirëmbajtjen dhe mbikëqyrjen e sistemit të menaxhimit të çështjeve (ICMIS) në shtatë Gjykatat Administrative, në tenderin për përmirësimin e sistemit të mbikëqyrjes në fushën penale, atë të përmirësimit dhe mirëmbajtjes së regjistrit noterial, në tenderin për kamerat e burgjeve në Lezhë dhe Fushë-Krujë, si dhe në tenderin për përmirësimin dhe mirëmbajtjen e sistemit elektronik të çështjeve të përmbarimit.

Shkeljet janë zbuluar fillimisht nga grupi i inspektimit të Ministrisë së Drejtësisë, e më pas dhe nga grupi i inspektimit të Ministrisë së Financave. Hetimet kanë nxjerrë në pah shkeljet e evidentuara të shoqëruara me pasoja të mëdha për buxhetin e shtetit.

Gjatë këtyre hetimeve është gjetur se disa nga sistemet objekt të këtyre procedurave të prokurimit, në një pjesë të madhe nuk janë funksionale. Për këtë çështje janë dhënë masa për ish-Sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorit të Shërbimeve Mbështetëse, si dhe për specialistët e IT. Hetimet kanë pasur në fokus funksionarët publik që kanë qenë pjesë e njësive të prokurimit, komisioneve të verifikimit të ofertave dhe komisioneve për mbikëqyrjen e zbatimit të kontratave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë