Futboll

Arrestime dhe sekuestrime, Federata e Spanjës në kaos për Superkupën në Arabi

Gazeta Si – Në shënjestrën e hetuesve janë kontratat e pasura të firmosura me kompaninë arabe që bëri ndërmjetësen e eventit. Vendimi ishte ratifikuar nga ish-presidenti Luis Rubiales.

Një tjetër tërmet në Federatën Spanjolle të Futbollit. “Guardia Civil” ka zbarkuar në zyrat e saj për të kërkuar dhe sekuestruar dokumentet që lidhen me akordin mes kësaj federate dhe kompanisë arabe që ka bërë ndërmjetësen për organizimin e Superkupës së Spanjës në Arabinë Saudite.

Luis Rubiales

Organet kompetente po hetojnë për korrupsion në këtë rast, administrim jokorrekt dhe riciklim parash në 5 vitet e fundit, ku bën pjesë edhe kontrata për organizimin e Superkupës në Arabi, e firmosur nga presidenti i atëhershëm i Federatës, Luis Rubiales, me sipërmarrësin Zherard Pike.

Janë 7 të arrestuarit deri tani dhe 5 të tjerë janë nën hetim. “La Guardia Civil” ka bërë me dije se Rubiales nuk është mes të arrestuarve. Por, sipas burimeve të “Associated Press”, ish-presidenti i larguar nga posti pas skandalit të puthjes së lojtares Jeni Hermoso, aktualisht është jashtë vendit, në Republikën Domenikane.

Ai është mes 5 personave që janë zyrtarisht nën hetim. Madje, policia ka bërë kontrolle edhe në shtëpinë e tij në Granada, në kërkim të kontratave dhe dokumenteve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë