Lajme

Arrest me burg për grabitësit e postës

Gjykata e Krujës ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg për pesë personat e arrestuar si të dyshuar për grabitjen e kasafortës së Postës Shqiptare në Krujë.

Në qeli u lanë Andi Rexhepi, Gazmi Saka, Mark Caka, Hysen Kica dhe Bujar Tafa. Të pestë këta shtetas akuzohen nga Prokuroria se në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal janë autorët e grabitjes së 130 milionë lekëve dhe 1500 eurove në degën e Postës Shqiptare.

Policia thotë se si provë materiale ka sekuestruar paratë e vjedhura, tre pistoleta të pajisura me silenciatorë, minë me telekomandë dhe dy automjete, një tip Range Rover dhe një Mercedes Benz, që të dy të dyshuar si të vjedhur dhe që janë përdorur nga grabitësit për t’u larguar pas grabitjes së Postës së Krujës.

Dyshohet se autorët vepronin në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, që besohet se ka realizuar të tjera grabitje të bujshme, sidomos në disa vila dhe biznese luksoze në zonën e Gjirit të Lalëzit.

Prokuroria e Krujës beson se kreu i grupit është shtetasi Andi Rexhepi, njohur edhe ndryshe edhe me emrin Rrem Paturri. Ai është një person me precedentë të theksuar kriminalë në të shkuarën.

Veç tre personave në fjalë, policia beson se ka edhe persona të tjerë anëtarë të këtij grupi kriminal, por për arsye hetimesh nuk bëhen me dije identitetet e tyre. Aksioni për kapjen e tyre u shtri në Krujë, Fushë-Krujë, Tiranë dhe Laç.

Posta e Krujës u grabit në orët e para të mëngjesit të datës 4 nëntor, ku autorët kanë përfituar nga fakti i ikjes së dritave. Ata kanë shkallmuar kasafortën me para. Vetë Posta Shqiptare e pranoi këtë fakt, ndërsa sqaroi se sistemi i alarmit ka funksionuar dhe se e gjithë përgjegjësia bie mbi kompaninë private të sigurisë fizike, që do të dëmshpërblejë shumën e grabitur. Roja i kësaj kompanie që ishte në turn gjatë grabitjes së parave është nën akuzën e shpërdorimit të detyrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë