Ka ndodhur

Arqipeshkvi George Frendo shërohet nga Covid-19

Arqipeshkvi i Tiranës dhe i Durrësit, George Frendo është shëruar nga koronavirusi. Lajmin e ka njoftuar vetë kreu i Kishës Katolike të Shqipërisë përmes një mesazhi, ku paralajmëron edhe rikthimin e shpejtë në Shqipëri.

“Falënderoj Zotin se së shpejti do të jem përsëri me grigjen time. Larg grigjes jam ndjerë si kokë pa trup. Gëzohem se mund të vazhdoj të kremtoj kohën e Ardhjes, në përgatitje për Krishtlindjen, bashkë me popullin tim. Kjo periudhë ka qenë për mua një eksperiencë e dhimbshme. Megjithatë jam ndjerë më afër Jezusit, i cili, nga dashuria e tij për ne, ka pranuar dhimbje për shërbimin tonë. Dhe jam ndjerë më afër atyre që, në këto ditë, po vuajnë nga e njejta sëmundje”, thotë Arqipeshkvi Frendo.

Në mesazhin publik, Arqipeshkvi i Tiranë dhe Durrësit falenderon edhe politikanët që i uruan shërim të shpejtë.

“Dëshiroj të falënderoj shumë nga ata që më kanë uruar shërim të shpejtë, ndër të cilët Presidenti i Republikes Z. Ilir Meta, Kryetarin e Kuvendit Z. Gramoz Ruci, Kryetarin e Bashkisë Z. Erjon Veliaj, Z. Lulezim Basha kryetarin e Partisë Demokratike, e shumë e shumë të tjerë! Falenderoj të gjithë besimtarët që janë lutur për mua. Shpresoj të kremtoj meshën me popullin në Katedrale të dielen me 6 dhjetor”, thotë ai.

George Frendo u diagnostikua me Covid-19 disa ditë më parë. Ai nisi fillimisht kurimin në Shqipëri, por pas përkeqësimit të gjendjes udhëtoi në drejtim të një spitali në Pulja të Italisë, nga ku mbërrin edhe lajmi për shërimin e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë