Rend dhe Ligj

Armët pa leje, qeveria pranon dështimin. Strategji e re për sekuestrimin

Bledar Hoti - Numri i armëve që mbahen në mënyrë të paligjshme mendohet se është i konsiderueshëm në Shqipëri. Alarmi jepet nga vetë Qeveria nëpërmjet një dokumenti zyrtar “Për miratimin e Strategjisë për Kontrollin e Armëve të Vogla, të Lehta, Municioneve dhe Eksplozivëve 2019-2024 dhe të Planit të Veprimit 2019-2021”.
“Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit në vendin tonë aktualisht është shqetësuese, kjo për shkak të situatës së trashëguar në vite, por edhe për shkak të rritjes së qarkullimit të mallrave dhe njerëzve, gjë që sjell si pasojë edhe rritjen e aktivitetit kriminal në fushën e trafikimit të paligjshëm të armëve dhe municioneve”, thuhet në dokumentin zyrtar.

Zotërimi i armëve të zjarrit si dhe keqpërdorimi i tyre shfaqin një dimension të dukshëm gjinor. Shumica e mbajtësve të licencave të armëve të zjarrit në Shqipëri janë burra (99.9%).
Burrat gjithashtu përbëjnë shumicën dërrmuese të autorëve të incidenteve me armë zjarri (98%) dhe mbizotërojnë ndërmjet viktimave (89%). Gratë në anën tjetër zotërojnë vetëm një pjesë të vogël të armëve të zjarrit, rrallë i keqpërdorin ato, por përfaqësohen në mënyrë të shpërpjesëtuar ndërmjet viktimave (11%). Shumica e viktimave gra janë për arsye të dhunës në familje dhe keqpërdorimin e armëve të zjarrit brenda këtij konteksti.

Faksimile e dokumentit të Strategjisë

Shifrat e krimit
Një numër i konsiderueshëm i krimeve të rënda në Shqipëri, si ato brenda familjes, kanosjes apo veprave të tjera penale, ndodhin për shkak të posedimit të armëve pa leje. Shifrat zyrtare të këtij raporti janë alarmuese dhe tregojnë rritje. Kështu gjatë periudhës 2006-2017 në total në shkallë vendi janë evidentuar 9.380 vepra penale të armëmbajtjes pa leje, janë zbuluar 8,268 prej tyre, ose 88.1%, me 9.687 autorë.
“Ajo që të bën përshtypje është fakti se trendi i kësaj vepre penale pas vitit 2012 ka shënuar rritje në raport me vitet e mëparshme. Gjatë vitit 2017 janë identifikuar 1,090 autorë të veprave penale të armëmbajtjes pa leje, nga të cilët 587 janë arrestuar, ose 54%, 111 janë ndaluar, ose 10%, 246 ndiqen në gjendje të lirë, ose 23% dhe 139 autorë janë shpallur në kërkim, ose 13% e totalit të autorëve të veprave penale të armëmbajtjes pa leje”, thuhet në dokumentin zyrtar.
Trafikimi i armëve, rrugët e hyrjes
Vetë vendndodhja e Shqipërisë duket se e lehtëson trafikimin e armëve të lehta, kryesisht pistoletave. Situata e trafikimit të armëve të zjarrit, municioneve, lëndëve plasëse në territorin e Republikës së Shqipërisë, është kryer duke pasur parasysh faktorë të tillë si ekzistenca e armëve të zjarrit të trashëguara nga e kaluara, si dhe të armëve të reja dhe pozita gjeografike e vendit tonë.
Në përgjithësi nga rastet e konstatuara, trafikantët e armëve të zjarrit përdorin kufirin tokësor të gjelbër duke i fshehur në automjete, autobusë, kamionë, vetura ose i transportojnë në trup duke kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme. Nga rastet e hetuara është konstatuar se trafikimi i armëve të zjarrit bëhet në sasi të vogla, nga 1-2 copë. Grupmoshat e evidentuara janë kryesisht të seksit mashkull dhe variojnë nga mosha 16–45 vjeç. Sipas dokumentit të siguruar nga Gazeta “Si”, armët e zjarrit në territorin e Shqipërisë futen nga kufiri: Maqedoni-Shqipëri, Kosovë-Shqipëri dhe Mali i Zi–Shqipëri. Në këtë pjesë të kufirit trafikohen armë zjarri të prodhuara në vendet e Evropës (pistoleta), si dhe armë zjarri, lëndë plasëse që vijnë nga territori i Malit të Zi, kurse nga territori i Kosovës dhe Maqedonisë trafikohen kryesisht pistoletat e konvertuara.

Ndërsa nga territori i Shqipërisë, nëpërmjet kufirit Shqipëri-Greqi dhe Shqipëri-Itali, trafikohen pistoleta dhe automatikë që janë rrëmbyer nga depot ushtarake në vitin 1997 në Shqipëri. Por në këtë dokument theksohet se vepra penale e trafikimit të armëve të zjarrit ndër vite është në tendencën e rënies, dhe kjo ka ardhur për disa arsye: a) Aktiviteti kriminal i trafikimit të armëve të zjarrit ka kaluar si aktivitet dytësor. B) Fitimet e krijuara nga ky aktivitet janë me të ulëta në krahasim me aktivitet e tjera kriminale. c) Rritja e masës ndëshkuese e dënimit për këtë vepër penale të parashikuara në Kodin Penal kanë rritur numrin e viteve të dënimit me burg apo se vendi ynë nuk është vend prodhues i armëve të zjarrit. Shqetësim mbetet edhe përdorimi i lëndëve shpërthyese, ku burim kryesor i tyre është grabitja e depove në vitin ’97.
Nga analizimi i ngjarjeve kriminale të ndodhura përgjatë vitit 2017, në territorin e Republikës së Shqipërisë, është konstatuar se grupet kriminale për të mbrojtur aktivitetin e tyre si dhe për të eliminuar kundërshtarët e tyre, gjithmonë e më shumë po përdorin lëndët plasëse me telekomandim në distancë. Hetimet e kryera në disa ngjarje kriminale kanë dëshmuar se origjina e disa lëndëve plasëse vjen nga ish-arsenali i trashëguar nga viti 1997. Gjithashtu, nga veprimet hetimore të kryera, është konstatuar se në disa raste montimi i mekanizmit të telekomandës së shpërthimit në distancë të këtyre lëndëve plasëse, është kryer nga persona brenda vendit tonë.

Gjatë procesit të dorëzimit vullnetar të armëve

Amnistia apo dorëzimi vullnetar i armëve
Por pavarësisht se konsiderohet shqetësuese qarkullimi i armëve të lehta, Strategjia nuk ka parashikuar një amnisti për armët apo dhe dorëzimin vullnetar. Edhe pse sugjerohet që kjo do të ndihmonte në çarmatosjen e popullatës.
Trazirat e vitit të mbrapshtë 1997 që u shoqëruan me hapjen masive të depove ushtarake, solli një armatim të popullsisë. Në vendin tonë janë zbatuar tre amnisti për dorëzimin vullnetar të armëve, me qëllim për të mos penalizuar në masë qytetarët, duke u dhënë mundësinë atyre të dorëzojnë armët që mbajnë pa leje dhe që janë pronë e shtetit. Amnistia e parë me kohëzgjatje gusht 1998 - gusht 2002, kur u hartua dhe miratua ligji nr. 8388, datë 5.8.1998, “Për grumbullimin e armëve dhe municioneve luftarake”, ligj i cili vendosi parimet dhe metodat për dorëzim vullnetar të armëve, regjistrimin për një kategori biznesmenësh, si dhe grumbullimin e detyruar nga policia.

Shifrat e grumbullimit të armëve gjatë dy amnistive


Amnistia e dytë u hartua në dhjetor 2002, me një amnisti dhe ligj për grumbullimin e armëve, që u miratua në 6 mars 2003, ligji nr. 9018, datë 6.3.2003, “Për mbledhjen e armëve, të municioneve dhe materialeve të tjera luftarake”. Edhe ky ligj kishte qëllime, parime, detyra të njëjta për policinë e ushtrinë, si dhe të njëjtën strukturë të komisioneve të grumbullimit të armëve në Shqipëri. Ligji qëndroi në fuqi deri në 31 maj 2005.
Amnistia e tretë u zbatua edhe gjatë periudhës janar–prill 2017, ku si rezultat i organizimit të punës dhe aktiviteteve sensibilizuese janë dorëzuar vullnetarisht në shkallë vendi: 1.603 armë zjarri të ndryshme; -1.558 granata dore; 580.634 municione të ndryshme. Mesatarisht i takon çdo ditë të jenë dorëzuar në shkallë vendi 13 armë zjarri të ndryshme. Kjo situatë tregon se akoma në duart e qytetarëve ndodhen një numër i konsiderueshëm armë zjarri dhe municione luftarake pa leje

Shifrat e amnistisë së tretë


Objektivat e strategjisë
Strategjia dhe plani i veprimit synojnë t‟i japin një zgjidhje gjithëpërfshirëse problematikave të armëmbajtjes pa leje dhe aktiviteteve në reduktimin e armëmbajtjes pa leje të armëve të zjarrit përmes konfiskimit, legalizimit, dorëzimit vullnetar, çaktivizimit. Për këtë është parashikuar një plan 6-vjeçar ku parashikohet ndërhyrja miratimi i legjislacionit për armët brenda 2023. Ulja e numrit dhe shkatërrimi i armëve është një tjetër objektiv. Për të realizuar këtë synohet që angazhohen edhe strukturat e shërbimit sekret, të agjentëve për evidentimin dhe mbledhjen e informacionit të armëve që mbajnë personat armë pa leje. Sigurisht do të synohet edhe pagesa e informatorëve të ndryshëm. “Të garantohet vendosja e masave ligjore që lejojnë legalizimin dhe dorëzimin vullnetar të armëve të zjarrit dhe zbatimin e tyre. Ndërgjegjësimi i personave armëmbajtës pa leje për çaktivizimin e tyre. Të gjitha vendet e rajonit, kanë miratuar ose parashikuar të miratojnë ligj për legalizimin. Në Shqipëri nuk kemi akoma dakordësi mbi nevojën e një ligji të tillë”, thuhet më tej në dokument.

Shtatë synimet e Strategjisë
Objektivi 1- Brenda vitit 2023 të garantohet miratimi i legjislacionit për kontrollin e armëve, plotësisht i harmonizuar me kuadrin rregullator të BE-së
Objektivi 2. Brenda vitit 2024 të garantohet se politikat dhe praktikat për kontrollin e armëve në vendin tonë janë bazuar në statistika dhe udhëhiqen nga informacionet e inteligjencës.
Objektivi 3. Brenda vitit 2024 të ulet në mënyrë të konsiderueshme qarkullimi i paligjshëm i armëve të zjarrit, municioneve dhe eksplozivëve (AME) drejt, brenda dhe përtej vendit tonë.
Objektivi 4. Brenda vitit 2024 të ulet në mënyrë të konsiderueshme oferta, kërkesa dhe keqpërdorimi i armëve të zjarrit nëpërmjet ndërgjegjësimit, edukimit, informimit dhe promovimit të kontrollit.
Objektivi 5. Brenda vitit 2024 të ulet mjaftueshëm numri i përllogaritur i armëve të zjarrit që mbahen në mënyrë të paligjshme në vendin tonë.
Objektivi 6. Në mënyrë sistematike, të ulet sasia e tepërt dhe të shkatërrohen armët e vogla dhe të lehta dhe municionet e tyre të kapura, duke respektuar standardet mjedisore.
Objektivi 7. Të ulet në mënyrë të konsiderueshme rreziku i përhapjes dhe i devijimit të armëve të zjarrit, municioneve dhe eksplozivëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë