Bota

Armëpushim në Nagorni-Karabak, separatistët dorëzojnë armët pas ndërmjetësimit rus

Gazeta Si - Separatistët e Nagorni-Karabakut kanë vendosur të dorëzojnë armët siç kërkohet nga Azerbajxhani. Kështu njofton agjencia ruse e lajmeve “Interfax”, duke shtuar se negociatat me Bakun do të fillojnë të enjten. Gjatë operacionit ushtarak të forcave të armatosura të Azerbajxhanit në rajonin e kontestuar me Armeninë, të paktën 32 njerëz u vranë: shtatë ishin civilë (përfshirë dy fëmijë).

Bilanci është konfirmuar nga autoritetet armene, ku përfshihen edhe mbi 200 të plagosur. Në fund të audiencës së përgjithshme, Papa Françesku nisi një thirrje për paqe "për të gjitha palët e përfshira dhe komunitetin ndërkombëtar".

Autoritetet separatiste në Nagorni-Karabak, thanë se armëpushimi u vendos në bazë të propozimeve nga komanda e paqeruajtësve rusë. Përleshjet pushuan në orën 13:00 me orën lokale (11:00 me orën tonë). Qeveria e Bakut, e cituar nga agjencia ruse e lajmeve ”Ria Novosti”, konfirmoi ndërprerjen e luftimeve.

Azerbajxhani nisi të martën një "operacion anti-terrorizëm" në territor, me objektivin e deklaruar "rivendosjen e rendit kushtetues", një formulë që duket se nënkupton rikuperimin e të gjithë kontrollit të rajonit të Kaukazit që OKB e njeh si territorin e Azerbajxhanit, por që në thelb është i banuar nga armenë etnikë.

Administrata e kryeqytetit të Nagorni Karabakut, Stepanakert, i kishte ftuar banorët e tij të qëndronin në strehimore dhe të mos brakstisnin vendin.

Forcat ruse, ndërkohë, kishin evakuuar më shumë se 2 mijë civilë nga Nagorni Karabaku, i cili ka një popullsi prej 120.000 banorë.

Siç njoftoi Ministria ruse e Mbrojtjes, të gjithë banorët e evakuuar u transferuan në strehim të përkohshëm me vakte të ngrohta. Më tej, mjekët specialistë rusë kanë ofruar ndihmë për të plagosurit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë