Art dhe Kulture

Armela Demaj ngjit Shekspirin në skenën e Teatrit të Metropolit

“Ëndrra e një nate vere”, një nga komeditë e njohura të Shekspirit, vjen premierë në Teatrin Metropol nga regjisorja Armela Demaj. Si një spektakël fjale, ngjyrash e koreografie kjo vepër e shkruar rreth viteve 1595-1596, do të “pushtojë” për disa javë skenën “Shekspir” të Teatrit Metropol. Në role kryesore në këtë vepër interpretojnë aktorët: Alba Shtëmbari, Aleksandër Mitrollari, Amri Hasanlliu, Bledi Naska, Edvin Mustafa, Engjëll Hoxha, Erdet Miraka, Ketjona Pecnikaj, Klea Konomi, Klodjana Keco, Luisa Dinellari, Margent Çaushi, Mariglen Domi, Mario Bali, Rexhina Mollaymeri, Sara Koçi, Sedmir Memia, Silva Brahimataj, Silvio Goskova, Stivi Osmanaj dhe Shkëlzen Berisha.  Sipas drejtoreshës së teatrit Jonida Beqo, “Ky sezon i është kushtuar tërësisht komedisë”. “Ëndrra e një nate vere” e Shekspirit vjen direkt pas Festivalit të Veprës së Arkivit, “Metrofest”, që këtë vit kishte në fokus komeditë shqiptare të pavëna më parë në skenë. 

Ndryshe nga veprat e tjera të Shekspirit, “Ëndrra e një nate vere” është një pjesë vërtet origjinale. Vepra ndahet në disa linja, si dashuria, ëndrra, imagjinata të reflektuara në një mori personazhesh, plot intriga, dashamirësi, magji dhe fantazi. Tek "Ëndrra e një nate vere" e cila do vihet ne skenën “Shekspir” te Teatrit Metropol derdhet një shpirt i pasur i trillimit fantastik ku bota magjike e zanave, muzgu dhe drita e hënës janë disa nga elementet e kësaj atmosfere përrallore. Në këtë vepër, motivi i dashurisë ka ardhur me të gjitha dimensionet e saj, me pasionin, me poezinë, me lirikën, me marrëzinë dhe me humorin e pasur.

https://youtu.be/5HOrgjE6d1k

Përmbajtja e veprës përqendrohet në tre ngjarje: përpjekjet dhe përvojat e dy çifteve të dashuruar në një pyll të magjepsur, bota e Mbretit dhe Mbretëreshës së zanave si dhe një grupi zejtarësh të rëndomtë që përpiqen të vënë në skenë një pjesë të quajtur “Pirami dhe Tisba” për nder të dasmës së Dukës së Athinës. Hermia është e dashuruar me Lizandrin, por ati i saj kërkon ta martojë me Demetrin. Për t’i shpëtuar kësaj martese të kurdisur, ajo dhe Lizandri arratisen në pyll. Demetri i ndjek dhe Helena, që ushqen një pasion të pashpërblyer për të, e ndjek dhe ajo pas. Një katërshe dashurie zhvillohet midis të rinjve kur Paku qerrata luan rolin e Kupidit. Ndërkohë, një grup aktorësh amatorë bëjnë prova të një teatri të dështuar dhe shpejt jetët e tyre ndryshojnë nga veprat e Oberonit dhe Titanias, mbreti luftëtar dhe mbretëresha e zanave. Magji, aksion, dashuri dhe humor janë mjetet e kësaj formule magjike.

Një pjesë e rëndësishme e veprës është skenografia e kostumografia, të punuara me shumë mjeshtëri nga Klodiana Beqiraj dhe Frenci Gjerasi. Premiera do të jetë në datën 21 nëntor, ora 19:00, për disa fundjava me rradhë deri më 6 dhjetor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë