Futboll

Armando Broja me ekip të ri, sulmuesi kuqezi kalon te Fulhemi deri në fund të sezonit

Gazeta Si – Arrihet akordi, Armando Broja është lojtari më i ri i Fulhemit. Sulmuesi kuqezi largohet nga Çelsi, por qëndron në Premier Ligë, ku deri në fund të sezonit do të luajë me fanellën e Fulhemit, një tjetër ekipi londinez.

Marrëveshja, që pritet të zyrtarizohet nga momenti në moment, është për një huazim të pastër të futbollisti shqiptar deri në fund të këtij sezoni. Çelsi do të përfitojë nga kjo lëvizje 4 milionë paund.

Pas vizitave mjekësore, Broja do të prezantohet te skuadra e tij e re. Një lëvizje kjo që mund ta ndihmojë sulmuesin të ngrejë nivelin duke luajtur rregullisht. Kështu ai do të jetë në formë optimale për Kombëtaren në qershor, kur nis Europiani.

Kjo është hera e tretë që Armando Broja huazohet nga Çelsi. Ai kaloi disa vite më parë në Holandë, te Viteshe, pastaj te Southemptoni në Premier Ligë, ku pati një ecuri mbresëlënëse, dhe tani te Fulhemi. Ekipi i ri i sulmuesit shqiptar mban vendin e 13-të në kampionat, me 25 pikë. Në garë për Brojën ishte edhe Volverhemptoni.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë