Libra

Arlinda Dudaj: Kush mund të jetë Poeti i parë Laureat shqiptar

Nga Luljeta Nelallari – Këtë vit për herë të parë, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit do të krijojë atë që në vende të tjera quhet institucioni i Poetit Laureat, një praktikë e njohur kjo në vende si SHBA, Mbretëri e Bashkuar, Kanada, Gjermani, Holandë, etj.

Ky çmim do t’i akordohet një personaliteti në fushën e poezisë shqipe, i cili përgjatë një mandati dyvjeçar do të jetë në krye të një fushate publike me në fokus poezinë shqipe.

Juria për çmimin Poeti Laureat

Në listë janë emra të spikatur të poezisë shqipe, si Agron Tufa, Flutura Açka, Preç Zogaj, Mimoza Ahmeti, Rudolf Marku, Parid Teferiçi etj.

Anëtarja e jurisë, botuesja e njohur, Arlinda Dudaj, në një intervistë për Gazetën “Si” jep detaje rreth këtij çmimi të rëndësishëm letrar. Dudaj thekson faktin se ky projekt i rëndësishëm letrar na afron bri kulturave të mëdha perëndimore që e kanë këtë traditë prej vitesh.

Për herë të parë Shqipëria do të ketë Poetin Laureat. Çfarë është kjo ngjarje për ju?

Thjesht fakti që ky çmim jepet për herë të parë mbart edhe një përgjegjësi tepër të madhe. Është një çmim shumë i rëndësishëm që do të jepet si për karrierën ashtu edhe për promovimin e tij. Për të kuptuar rëndësinë e tij, mjaft të përmendim dhe që nobelistja e këtij viti, Louise Gluck, ka marrë gjithashtu edhe çmimin e Poetit Laureat në SHBA. Dua të theksoj se kjo është një nismë e shkëlqyer e Qendrës Kombëtare të Librit për të nisur një traditë, të cilën vendet e përparuara e kanë prej vitesh.

Si anëtare e jurisë sa i vështirë është procesi i gjykimit?

Si anëtare jurie jam shumë e nderuar të jem pjesë e përzgjedhjes së këtij çmimi, por po aq ndihem edhe në pozicion shumë delikat, për shkak se përzgjedhja do të jetë e vështirë në morinë e emrave tepër të ndritur që kemi në listë. Por procesi do të jetë tejet transparent dhe të gjithë kolegët anëtarë po përpiqen të bëjnë më të mirën për të pasur një emër të denjë për të dyja arsyet që përmenda më lart.

Ne kemi pasur një traditë të mirë me poezinë para viteve ‘90. Si është poezia bashkëkohore shqipe?

Është e vërtetë. Kemi pasur emra të shkëlqyer, poezitë e të cilëve na vijnë në mend edhe kur rrimë në qetësi apo përjetojmë emocione. Për sa i përket bashkëkohores, kemi natyrisht disa emra e frymë të re që meriton vëmendje.

Mendoni se do të jetë një grua apo një burrë poeti i parë laureat shqiptar?

Nëse do të jetë burrë apo grua nuk mund ta them në këtë moment, pasi jemi në proces. Ajo që mund të them është se mund të jetë si njëri dhe tjetri, në listë kemi emra të mrekullueshëm burrash ose grash poete.

Cili është poeti juaj i preferuar?

Dritëroi është poet i dashur për mua, por dhe Kadareja, Xhevahir Spahiu, Fatos Arapi.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë