Futboll

Arlind Ajeti shënon një gol të pazakontë, mbrojtësi kuqezi godet si sulmues race

Gazeta Si – Gol si një ‘bomber’ i vërtetë. Mbrojtësi i Kombëtares, Arlind Ajeti, u ka dhënë sot një leksion të mirë sulmuesve të skuadrës së tij në Rumani, CFR Kuzh. Ai shënoi golin e barazimit në ndeshjen me Farul Kostanta, që përfundoi me rezultatin 1-1.

E veçantë është mënyra e realizimit. Një gol i pazakontë për një mbrojtës: goditje fluturimthi në gjysmë kthesë dhe topi në trekëndësh. Një gol vërtet shumë i bukur dhe me peshë për skuadrën e tij, pasi i ka dhënë një pikë në transfertë.

Ajeti në fakt ka shënuar edhe më parë në Rumani dhe ku i sotmi është goli i tretë. Mbrojtësi shqiptar po zhvillon një kampionat mjaft të mirë dhe sigurisht që është një nga kantindatët për të qenë në listën e Gjermani 2024.

Edhe pse nuk luan në një kampionat shumë të fortë, si mbrojtësit e tjerë kuqezi, Ajeti ka eksperiencë të konsiderueshme dhe gëzon një formë të mirë. Për momentin ai është në avantazh ndaj Kumbullës, që sapo ka nisur të luajë pak minuta në Itali.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë