Para

Arkës i mungojnë 867 mln lekë. Ja sektorët që ia bënë gropën buxhetit të shtetit

Arkës së shtetit i mungojnë 867 mln lekë të planifikuara që nuk janë realizuar dot në pesë muajt e parë të vitit.

Treguesit Fiskalë të Ministrisë së Fianancave raportojnë për gati 188 miliardë lekë të mbledhura deri në fund të muajit maj, megjithatë ky muaj rezulton të ketë pasur një performancë pozitive me 8.3 miliardë lekë më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Por Doganat dhe Tatimet nuk kanë performuar mirë këtë 5 mujor, megjithatë duhet marrë parasysh edhe kursi i këmbimit i cili ka patur luhatje gjatë gjithë periudhës.
Tatimi mbi Vlerën e Shtuar vazhdon të kontribuojë negativisht. Në 5 muajt e parë të vitit janë arkëtuar rreth 55 miliardë lekë, e përkthyer në 4.3 miliardë lekë më pak se parashikimi për periudhën.

Në të njëjtën kohë janë rimbursuar 7 miliardë lekë, ose 1.6 miliardë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Edhe taksat kombëtare kanë performuar negativisht. Nga to janë mbledhur gati 2 miliardë lekë më pak se plani dhe në total 14 miliardë lekë.

Me rënie kanë rezultuar edhe të ardhurat nga akcizat me 97 milionë lekë. Performancë pozitive ka pasur mbledhja e tatimit mbi fitimin, me rreth 1.9 miliardë lekë më shumë se plani, ku janë mbledhur rreth 17.7 miliardë lekë.

Rritje ka shënuar gjithashtu tatimi mbi të ardhurat personale, ku janë mbledhur 18.4 miliardë lekë ose 1.8 miliardë lekë më shumë se plani.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, rezulton një tejkalim me 4.2 miliardë lekë më shumë. Pushteti vendor ka rezultuar të ketë qenë aktiv në mbledhjen e të ardhurave, me 2.2 miliardë lekë më shumë se parashikimet.

Investimet kanë çaluar, ku në 5 muaj janë paguar 28.9 miliardë lekë, apo rreth 7 miliardë lekë më pak se plani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë