Para

Arka e shtetit mblodhi 104 mld lekë në dy muaj. Në rritje të ardhurat nga kontributet, TAP dhe tatim fitimi

Nga Gazeta 'SI' - Buxheti i shtetit ka mbledhur 104 miliardë lekë në dy muajt e parë të vitit, me rritje 7% nga një vit më parë, ose 7 mld lekë më shumë.

Të ardhurat nga tatimi i të ardhurave personale, sigurimet dhe TVSH-ja vijojnë të jenë burimet kryesore për arkën e shtetit.

Për të njëjtën periudhë, Ministria e Financave trego se janë kryer 83.3 mld lekë shpenzime, 10.2 mld lekë më shumë se një vit më parë dhe sa 92.2% të planit.

Suficiti arriti në 20.7 mld lekë.

Të ardhurat nga individët e punësuar janë rritur me 15% duke arritur në 10.5 mld lekë në dy muaj. Të ardhurat nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore arritën në pothuajse 26 mld lekë, me rritje 16.5% nga një vit më parë.

Tatimi mbi fitimin arkëtoi rreth 5.9 mld lekë, 20.6% më shumë se 2-mujori i parë 2023.

Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto) u realizua në masën 13.7 miliardë lekë, 3.8 miliardë ose 38.7% më shumë se 2 mujori 2023, si dhe 2.3 miliardë ose 19.7% më shumë se plani i TVSH për t’u arkëtuar në 2 mujorin 2024. Rimbursimet për periudhën 2 mujore 2024 janë 2.7 miliardë lekë, 241 milionë lekë ose 9.8% më shumë se 2 mujori 2023.

Taksat nacionale, për periudhën 2 mujore 2024 u realizuan në masën 7.5 miliardë lekë, 924 milionë lekë ose 14.2% më shumë se 2 mujori 2023, si dhe 203 milionë lekë ose 2.8% më shumë se plani për 2 mujorin 2024.

Të ardhurat nga TVSH në import për 2 mujorin rezultojnë 21.7 miliardë lekë, 1.1 miliardë lekë ose 5.2% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më pare.

Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 8.6 miliardë lekë, 327 milionë lekë ose 4% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2023. Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 401 milionë lekë, 54 milionë ose 11.9% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Të ardhurat nga taksat doganore janë arkëtuar në vlerën 1.3 miliardë lekë, 34 milionë lekë ose 2.7% më shumë se 2 mujori 2023.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë