Art dhe Kulture

Arjeta Dhima: Të flasësh pa e hapur gojën

Ishte në të katërmbëdhjetat atëkohë e ndërsa përsëriste me mendje mësimet e shkollës do të dëgjonte një zë, që dukej se dilte prej saj, edhe pse ajo nuk ishte duke folur. Nuk e kishte idenë se ç’po ndodhte! Për ta kuptuar më mirë do të qëndronte përpara pasqyrës, do të niste numërimin nga një në dhjetë, sërish pa i lëvizur fare buzët. Zëri do të bëhej edhe më i fortë. Kishte zbuluar një lojë të re, të cilën shumë vite më vonë do ta mësonte se ishte një teknikë e njohur, edhe pse e rrallë, në botë. Publikut të gjerë, Arjeta Dhima do i prezantohej si ventrilokuiste në edicionin e 57-të të Festivalit të Këngës në Radio Televizion. Sëbashku me tri kukullat e saj, Sindin, Gocën dhe Xha Telin do të ngjitej në skenë dhe pa hapur gojën, pa lëvizur buzët do t’i jepte jetë një bashkëbisedimi – në regjistra të ndryshëm zëri – tre personazheve prej lecke, në duart e saj.

U prezantua si një ndër pesëdhjetë ventrilokuistët në botë, një dhunti apo talent i rrallë, ku njerëzit arrijnë të flasin me zë “barku”, i përdorur më pas nga ata që arrijnë ta bëjnë këtë në performanca me kukulla. Mjeshtëria e performuesve të tillë të krijon thuajse bindjen se zëri vjen nga dikush tjetër. Edhe nëse je familjare me këtë teknikë, edhe pse mund të kesh ndjekur edhe shfaqje të tilla kur kukullat flasin, ndërsa mjeshtri që i lëviz ato duket gojëkyçur, habia përsëritet gjithnjë, bashkë me pyetje “Po si e bëjnë?” “Unë mund të të ngjis në skenë dhe të vë në gojën tënde fjalë, që ti as i mendon”, thotë duke qeshur Arjeta. Por rruga deri në këtë hap të parë publik, nuk ka qenë e lehtë zbulon. Do të përballej më shumë se një herë me përgjigje të llojit “Po ç’është kjo shfaqje me kukulla!”, edhe kur konkurroi në Akademinë e Arteve dikur, edhe kur propozonte për teatro apo televizion ta fuste si praktikë apo të gjente një hapësirë për shfaqje a spektakle.

Pasi u diplomua si aktore në Universitetin e Arteve, do të themelonte “iACT Albania”, një sipërmarrje të vogël, ku ajo, sëbashku me një grup bashkëpunëtorësh ofrojnë kurse aktrimi dhe të folurit në publik. Ajo thotë se shpesh janë individë, me pozicione publike, por edhe kompani që e pajtojnë si mentore dhe trajnuese për të arritur një ligjëratë të pastër e të rrjedhshme, por gjithaq edhe bindëse. Ndihmon ata që kanë çrregullime në të folur apo individët shumë të ndrojtur, që stepen përballë një audience, sado e vogël qoftë, ata që kërkojnë një diksion të qartë për skenë apo në media. Motoja e sipërmarrjes së saj? Mëso të aktrosh dhe komunikosh! “Të flasësh ne publik është sfiduese”, thotë Arjeta, “ Unë u jam falënderuese të gjithë atyre që më kanë zgjedhur si trajnuesen e tyre personale. Rastet janë te gjitha për t’u admiruar, sepse janë njerëz që e duan të bukurën dhe suksesin, arritjen dhe zhvillimin në jetën e tyre personale”. Përveçse punon me fëmijë, në kurset e aktrimit – duke i ndihmuar ta shprehin të lirë fantazinë dhe botën e tyre me ngjyra – Arjeta zbulon se ka edhe nxënës mbi të pesëdhjetat, që e kanë pasur aktrimin një prej ëndrrave, që për shkaqe apo pamundësi u mbeti e pluhuruar në sirtar. “Janë raste shumë emocionuese. Më prekin për vendosmërinë dhe kthimin e tek pasioni i tyre. Jam e gëzuar që gjendem përballë tyre si një dritë shprese. Është bukur te ëndërrosh, nga ëndrrat dalin realitetet e bukura”, thotë ajo.

Arjeta Dhima e ftuar në një leksion të hapur në Universitetin Polis


Kur ka përfunduar një ditë e ngarkuar me veprimtaritë trajnuese, mbrëmjeve në shtëpi do të hapë dollapin e do të nxjerrë nga dollapi kukullat e saj. Më e dashura dhe e para është Sindi. Kur flet për të, duket se i referohet një personazhi të vërtetë, të gjallë, prej mishi dhe kocke.
Po si mbërriti Sindi në jetën e saj? A është i lidhur pasioni për kukullat me të folurin e saj të çuditshëm? Arjeta rrëfen se gjithnjë i ka dashur kukullat dhe arushat prej pelushi.“Kur kam qenë e vogël, tezja më dhuroi kukullën e parë me flokë, pasi unë shkoja për vizitë në shtëpinë e saj, vetëm që të laja kukullën”, kujton ajo, ndërsa shton “Ardhja e Sindit është një bekim për mua profesionalisht dhe mund të them se është një dashuri më vete.” Sindi ka një jetë të sajën,bisedon, qesh, trishtohet…Jo rrallë, rrëfen Arjeta, Sindi është mërzitur me refuzimet e njerëzve, që nuk arrinin ta kuptonin e jo më ta vlerësonin komunikimin e veçantë që kishin ato të dyja.

Arjeta Dhima dhe kukulla e saj, Sindi


Ndërsa shihte performanca në “YouTube” të ventrilokuistëve që performonin dhe ngazëllehej se edhe ajo mundej ta bënte këtë, thotë se pritshmëritë që krijonte ishin shpesh të nxituara. “Unë shikoja performancë në skena të mëdha dhe plot profesionalizëm. Ndërkohë këtu duhej shpjeguar teknika pastaj të performoje”. Thotë se shpesh e ka mbyllur Sindin në dollap, si për t’i bërë të kuptonte se nuk gjente vend të shfaqej përpara publikut. Por a i kaloi ndonjëherë ndërmend ta linte fare, sepse shpjegimet e gjata përpara se të mund të realizonte një shfaqje, bëheshin të lodhshme? “Patjetër qe kam pasur momente shumë të vështira, përlotje, braktisje të kukullës dhe nuk kam parë asnjë dritë jeshile për ekspozim”, thotë, megjithëse shton se nuk u vë faj atyre që nuk e pranonin, duke qenë se Shqipëria, siç e sheh ajo, është vend jo shumë mendjehapur për risitë. “Por ishte kaq e fortë brenda meje ndjesia e të punuarit me të, saqë nuk mundesha dot të rrija duarkryq dhe të bëja sikur isha shumë e lënduar”.

Kukulla, që Arjeta e ka quajtur "Goca"


Kështu Sindi i shfaqej përballë dhe e bënte të ndizte motorët e të vazhdonte rrugëtimin. “Ka nga ata që më pyesin mos kam çrregullime me personalitetin”, thotë duke qeshur aktorja, “por jo, jam shumë në rregull, u them”. Flet për kukullat e leckës si të ishin njerëz realë, sepse kur ata dalin në një shfaqje janë të tillë. Marrin jetë prej zërit të brendshëm të Arjetës, e cila ndryshe nga shumica prej nesh, që ai zë i brendshëm nuk është i tingullt, arrin ta përcjellë tek audiencat. “Marrëdhënia ime me Sindin, Gocën dhe Xha Telin është në rritje e sipër. Çdo ditë në provat tona na del diçka e re për t’u diskutuar dhe folur, kundërshtuar apo deri në ngritje zëri. Ne kemi një raport jo normal, sepse ato kanë një botë dhe këndvështrim ndonjëherë ndryshe nga i imi. Dhe pikërisht këtu lind konflikti, sharjet dhe mos pranimi i disa qëndrimeve.”

https://www.facebook.com/iact.al/videos/373505206529928/
Arjeta me kukullën Xha Teli, duke ventrilokuar


Ventrilokuizmi lindi fillimisht si praktikë fetare. Emri vjen nga latinishtja; të flasësh me bark. Grekët, që gjithashtu e njihnin si praktikë e quanin gastromanci. Zhurmat e prodhuara nga barku mendoheshin se ishin zëra e qenieve jo të gjalla, që banonin në barkun e ventrilokuizmit.
Njerëz që e mendojnë kështu, ka hasur plot edhe në ditët e sotme, zbulon Arjeta, duke qeshur.
Ajo që dikur përdorej nga orakujt për të interpretuar tingujt, si Pythia në tempullin e Apollos në Delfi, në Mesjetë u mendua se ishte e ngjashme me artin e magjisë. Gratë që e bënin këtë , u dogjën si shtriga. Por në shekullin e 18-të u bë gjithnjë e më shumë art performues me cirqet udhëtuese dhe panairet. Një nga vendet e para që e njohu si art argëtues ishte Anglia dhe sot është një nga vendet, së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që ka numrin më të madh të ventrilokuistëve, edhe pse numërohen afro pesëdhjetë. Edhe ajo është një nga këta pak njerëz që arrijnë të flasin pa i lëvizur buzët, por ndryshe nga të ngjashmit e saj që kanë bërë famë dhe para me këtë talent, ajo ka lindur në një vend të vogël. “Këtu e ka vendosur Zoti që të lindja dhe këtu po jetoj, arsyen e di Ai pse. Unë do të bëj detyrën time, pasionin tim pavarësisht gjithë pengesave që shfaqen çdo ditë. Unë jam Arjeta, ajo vajza që mbyllet në studion e saj dhe punon fort”.

Sot ka ventrilokuistë të famshëm që organizojnë turne shfaqjesh në të gjithë botën. Njërin prej tyre Arjeta zbulon se vajti ta ndiqte në një shfaqje në Itali dhe krejt ndryshe nga publiku në Shqipëri, tërheq me mijëra njerëz që e ndjekin me admirim. Edhe ajo u ngjit në skenë, në Pallatin e Kongreseve, një arritje që pas shumë refuzimeve, ndoshta nuk do ta kishte besuar. Por, nuk ngutet ta quajë sukses. “Ishte thjesht një prezantim i suksesshëm, mund të them. Për këtë falënderoj shumë të madhen Inva Mula, e cila besoi si drejtoreshë e festivalit që kjo teknikë mund të shkonte”. Thotë se publiku e mirëpriti dhe madje pyetje kureshtare hasi edhe jashtë, ndërsa po largohej pas performancës së saj. “E dua publikun. Është motiv i fortë për mua.”
Ventrilokuistë të rinj që marrin pjesë në spektakle talenti në botë, arrijnë të mahnitin edhe juri me emra të njohur të industrisë së argëtimit dhe vetë Arjeta e ka menduar se një ditë do të provojë talentin e saj, në konkurse të ngjashëm jashtë vendit.

Arjeta me kukullat, Sindi dhe Xha Teli


“Përpara ventrilokuizmit?”, thotë ajo, “aktrimi është fare i lehtë”. I ka pasur edhe disa role si aktore, ku përmend filmin “Lindje –Perëndim- Lindje” të regjisorit Gjergj Xhuvani dhe disa role në teatër si “14 vjeç dhëndër” apo “Made in Albania”. Së fundi ishte pjesë e një filmi me metrazh të shkurtër, ku mori edhe çmimin si aktorja më e mirë në Festivalin “48 orëshi” organizuar nga Robert Aliaj. “Janë dy dimensione të ndryshme nga Arjeta aktore tek Arjeta ventrilokuiste. Ventrilokuizmi kërkon një vëmendje shumëdimensionale dhe të përjetuar për tre ose për katër. Skenarët janë shumë të vështirë, sepse duhet të jenë të kombinuar me çdo lëvizje dhe gjestikulacion të kukullës. Kam hasur vështirësi patjetër në skenar sepse nuk është batuta në fund që duhet të memorizohet nga audienca dhe duhet të vijë e goditur", zbulon ajo rreth performancave me kukullat. “Ka filluar puna për një shfaqje private”, zbulon “Sa për televizion jemi në tentativë. Por prenotime private ka, sepse njerëzit e duan, është teknikë e veçantë dhe e bukur”, përfundon ajo. Kukullat dhe ventrilokuizmi do të jenë gjithnjë pasioni i saj i parë, zbulon, edhe pse mesa ka kuptuar, në Shqipëri dyert për Sindin dhe kukullat e tjera dhe të folurit “me bark” janë të vështira për t’u çelur… *Suadela Balliu


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë