Lajme

Argjentina përsëri në “errësirë”, e shpëtojnë Mesi dhe portieri

Që Argjentina nuk është në “terezi”, u pa që në ndeshjen e parë me Kolumbinë, ku humbi 2-0. U vërtetua në ndeshjen e dytë në grup kundër Paraguait, nga e cila Mesi me shokë dolën me të njëjtat dyshime dhe pasiguritë e zakonshme. Pavarësisht katër ndërrimeve në formacion në krahasim me ndeshjen e parë, Argjentina ka çaluar në lojë dhe është kënaqur me një pikë, të marrë me “dhunë” pas një penalltie të kthyer në gol nga Mesi. Trajneri Skaloni sërish është kritikuar ashpër për ndërrimet, veçanërisht atë të Lautaro Martinez në mesin e pjesës së dytë.

Argjentina duhet t’i falet portierit Armani, i cili e shpëtoi skuadrën nga humbja, që do ta eliminonte nga Kupa e Amerikës. Me një pikë pas dy ndeshjesh, ashtu si Katari, Argjentina duhet ta mundë këtë ekip në ndeshjen e tretë, duke shpresuar që Paraguai, me 2 pikë, të mos fitojë me Kolumbinë. Pas 10 minutash lojë, skuadra e Skalonit, që hodhi nga minuta e parë në fushë Lautaro Martinezin, sulmuesin e Interit, u fut në “errësirë”. Fakti që gjuajtja e parë në portë u regjistrua në minutën e 49-të, nga një goditje dënimi, tregon qartë kaosin taktik në lojën sulmuese të argjentinasve. Paraguai arriti të shënonte në kundërsulmin e dytë të ndeshjes, falë një të djathte të saktë të Sançez. Argjentina vuante sa herë që kundërshtari sulmonte, sidomos kur topi kalonte në këmbët e Almiron dhe Gonzalez.

Mesi feston golin e shënuar me penallti ndaj Paraguait

Rreziku i parë serioz i argjentinasve në portën e Fernandez ishte ai i minutës së 51-të, kur Lautaro dhe i sapofuturi në lojë, Aguero, kërcënuan Paraguain. Hyrja e Agueros pati efekt pozitiv në manovrën sulmuese, por sërish loja e Argjentinës u venit në mesin e pjesës së dytë, pasi Skaloni zëvendësoi Lautaron me Di Marian, që zhgënjeu edhe këtë herë. Barazimi erdhi thuajse rastësisht, kur Aguero pasoi për Pereiran në zonë. Vendimtare ishte ndërhyrja e VAR-it, që solli akordimin e një penalltie për Argjentinën dhe Mesi realizoi me një të majtë të fortë. Nga ky moment, loja e argjentinasve ndryshoi, por duhej edhe një pritje vendimtare e Armanit, që neutralizoi penalltinë e gjuajtur nga Gonzalez. Pasi kaloi këtë moment frike, Argjentina bëri gjithçka për përmbysjen e madhe, por përsëri ishte e paqartë.

Polemika nga Leutaro Martinez pas zëvendësimit. Sulmuesi reagoi, duke e quajtur absurd vendimin e trajnerit Skaloni për ta ndërruar. Lodhja dhe ruajtja e ndërrimeve për në minutat e fundit nga Paraguai, i dhanë mundësinë Argjentinës të sulmonte në minutat e fundit, megjithatë mbrojtja kundërshtare e kishte të lehtë ta ndalonte. Argjentina duhet të fitojë patjetër me Katarin që të kalojë grupin, por ndoshta edhe fitorja nuk do të mjaftonte.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë