Futboll

Argjentina 3 ditë zi, dritat ndezur natën dhe stadiumi i Napolit me emrin e tij

"Jam i dërrmuar”, - tha pas lajmit të vdekjes së Maradonës presidenti i Argjentinës, Alberto Fernandez. Qeveria e vendit amerikano-latin ka vendosur për 3 ditë zie kombëtare, ndërsa në ndeshjet e kupave të Europës, përveç një minute heshtje, lojtarët do të mbajnë në krah edhe një shirit të zi.

Një flamur i Argjentinës, një fjongo e zezë, një tufë lule dhe disa qirinj të ndezur përballë shtëpisë së fëmijërisë së Maradonës në Villa Fiorito, në jug të Buenos Airesit. Ky është homazhi që i bën vendi birit më të njohur të tij, Diego Armando Maradonës. Aty ku ai është rritur edhe dhimbja është më e madhe.

Mes njerëzve që kanë dalë në rrugë është edhe Elvira, komshia e tij. “Luante me djalin tim, - ka thënë ajo për televizionin argjentinas “Todo Noticias”. – Vdekja e tij na pikëlloi të gjithëve. Kur Diego jetonte këtu, ky vend ishte më i varfër se tani, ai kujtohej gjithmonë për ne”.

Rugët e Napolit, ku Maradona ishte një idhull. Gazeta Si, 25 nëntor 2020

“I ëmbël dhe i papërsëritshëm, do të jesh gjithmonë në zemrën time “Pibe de America”, - ka shkruar në Tuiter presidenti i Venezuelës, Nikolas Maduro. Në rrugët e Napolit, ku Maradona ishte një idhull, qytetarët janë mbledhur për të vendosur lule në pallatin ku është pikturuar portreti i Maradonës. Qyteti është i shokuar, me argjentinasin Napoli ka fituar tituj dhe kupa. Lajmi i ka goditur të gjithë.

Dritat e stadiumit “San Paolo”, ku ai është një mit, do të jenë të ndezura për gjithë natën, në kujtim të Diego Armando Maradonës. E ka vendosur kryebashkiaku i Napolit, Luixhi de Maxhistris, i cili ka shkruar: “Ka vdekur Diego Armando Maradona, futbollisti më i madh i të gjitha kohërave. Diego ka bërë të ëndërrojë popullin tonë me gjenialitetin e tij. Në 2017- ën u bë qytetar nderi i Napolit. Diego, napoletan dhe argjentinas, na ka dhuruar gëzim dhe lumturi. Napoli të do. Le t’i vëmë stadimit emrin Diego Armando Maradona".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë